Interi tregoi dje në derbin me Milanin se është për titull në Itali, duke e shkërmoqur rivalin kuqezi të qytetit. Kështu, zikaltrit mposhtin thellë 3-0 rivalët e titullit dhe shkëputën 4 pikë nga rivalët ndërqytetës në krye të klasifikimit. Derbi i “Madoninws” u vendos nga sulmi shpërthyer i Interit, Lautaro-Lukaku, që i shkaktoi humbjen e dytë radhazi “djallit”, diçka që ndodh për herë të parë në këtë kampionat. Vetë shifrat tregojnë dominimin e skuadrës së Antonio Kontes, që e nisi vrullshëm takimin duke e zhbllokuar që në minutën e pestë me Lautaron, që e pati të lehtë të mposhtte me kokë Donarumën. Merita kryesore shkon për Lukakun, që i dha një asist perfekt argjentinasit, pasi shpërtheu bukur nga e djathta, duke nxjerrë jashtë loje në dyluftim Romanjolin. Zikaltrit dominuan gjatë fraksionit të parë, të cilin e mbyllen me një rast të Skriniarit, që nuk pati saktësinë e duhur me kokë. Milani u shfaq i frikshëm në fillim të pjesës së dytë, me Donaruma që u mohoi golin Tonalit dhe Ibrahimoviçit, por gjithçka u bë edhe më e vështirë për kuqezinjtë, kur Lautaro realizoi të dytin personal, i asistuar me mjeshtëri nga Brozoviç, pas një aksioni model. Donaruma reagoi bukur në të 63-tën ndaj goditjes së Lukakut, por nuk mundi të bënte asgjë pak çaste me vonë, kur sulmuesi belg, pas një depërtimi të fuqishëm e goditi topin në shtyllën e parë, duke nxjerrë jashtë loje portierin kuqi. Me rezultatin 3-0 ndeshje ishte praktikisht e mbyllur. Interi tërhoq në gjysmëfushën e tij, për të menaxhuar lojën, duke mos harxhuar shumë energji. Me katër pikë më shumë se “Djalli” dhe i përqendruar totalisht në Serinë A, Interi “vrapon” me siguri drejt titullit kampion që i mungon prej 11 vjetësh. Pas ndeshjes, trajneri Stefano Pioli “qau” situatën në pësimin e golit të parë, të cilin e konsideroi vendimtar për fatin e ndeshjes. Ai zbuloi disa prej mangësive të skuadrës së tij, duke arsyetuar humbjen ndaj zikaltërve në duelin e djeshëm derbi. “Goli i parë ishte i rëndë për ne. Neve na mungoi intensiteti në pjesën e parë dhe është dashur të bënim më shumë. Në pjesën e dytë e merituam të shënonim gol”, tha Pioli. “Ne bëmë më shumë goditje në kornizën e portës në pjesën e dytë, por Handanovic i pati disa pritje vendimtare. Ishte një javë e vështirë për ne, por ne do të reagojmë”, shtoi ai. Javën e ardhshme, Milani do të ketë përsëri punë të vështirë, sepse e viziton Romën në Stadiumin Olimpik. Ndërkohë, pas dygolëshit të djeshëm në fitoren 3-0 të Interit, sulmuesi Lautaro martine u shpreh: “Këta jemi ne. Ne punojmë çdo ditë për ta çuar Interin në maje. Duam të vazhdojmë kështu. Jemi shumë të lumtur”, tha Martinez pas ndeshjes. “Ne luftojmë të gjithë së bashku. Kemi vuajtur shumë këtë sezon me eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe nga Kupa e Italisë. Titulli është synimi i vetëm i mbetur për ne dhe jemi të lumtur që jemi lider. Në lidhje me bashkëlojtarin e vet belg, argjentinasi tha: “Lukaku ende ka vend për përmirësim. Ai është i ri dhe punon shumë brenda dhe jashtë fushës. Ai është njeri i madh dhe ne jemi të lumtur që e kemi”, tha ai.