Çështjet në Arbitrazh fundosin buxhetin e shtetit/450 milionë euro detyrime, 5 çështje marrin formë të prerë

0
263

Buxheti i shtetit vazhdon të humbasë shumë para për shkak të çështjeve të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit. Qeveria shqiptare në vitet e fundit ka humbur shumë çështje në Arbitrazh, duke filluar që nga paditë për çështjen e pronave dhe deri te problemet në kontrata me disa investitorë të huaj në vend, ku mund të përmendim këtu rastin e Becchettit. Ndërkohë gjyqet e humbura kanë vijuar edhe përgjatë 2020 kur vendi përveç krizës që solli pandemia i duhej të përballej edhe më këto humbje të larta financiare. Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga “Monitor”, deri më tani detyrimet që duhet të paguajë Shqipëria për çështjet e Arbitrazhit shkojnë në më shumë se 450 milionë euro. Gjithsesi, duhet të sqarojmë këtu se një pjesë e kësaj vlere është borxh potencial, pra do të thotë që gjykata nuk ka dhënë akoma një vendim të formës së prerë, për të vendosur se kush do të paguajë. Sipas të dhënave, financat kanë aktualisht dy detyrime të tilla, atë ndaj “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” dhe Detyrimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prej 550,000 eurosh, për çështjen e Arbitrazhit “Valeria Italia S.R.L”. Por edhe më keq që nuk është vendosur një vendim, pasi qeveria ka bërë disa shpenzime, sepse i është dashur të paguajë studio ligjore të huaja për ndërmjetësim. Sakaq, bëhet me dije se, për t’iu përgjigjur ritmit të ankesave, shteti shqiptar ka angazhuar Avokaturën e Shtetit në kërkim të studiove të huaja ligjore, të cilat do ta përfaqësojnë në këto përballje që ende nuk kanë nisur. Vetëm në harkun e një muaji, Avokatura ka kërkuar tre studio ligjore të huaja, të cilat do ta asistojnë në përballjet e saj. Po si qëndron sot bilanci në raport me çështjet në Arbitrazh. Gjithsesi edhe për këto çështje në negocim situata mbetet peng dhe jo shumë në favor të shtetit shqiptare, i cili tashmë ka më pak hapësira për shpenzimet të tilla.

Vendime për t’u paguar

Pavarësisht afateve të lëna në dispozicion, një ditë qeveria shqiptare do duhet të shlyejë një për një detyrimet ndaj çështjeve që kanë marrë vendim të formës së prerë jo në favorin tonë. Kujtojmë se një nga çështjet më të nxehta dhe që përfshin një shifër të lartë dëmshpërblimi është përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve. Kjo çështje përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 108 milionë eurosh.

Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare muajve të fundit, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar. Një tjetër dënim që duket se ka marrë formë të prerë është ai i shtetit shqiptar përballë bashkimit të kompanive “Copri” dhe “Aktor”, të cilat ishin të angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Gjykata Ndërkombëtare dha vendim, në fund të vitit të shkuar, duke dënuar autoritetet shqiptare dhe duke parashikuar kompensim 45 milionë dollarë për palën paditëse. Ndërsa theksohet se tre çështje të tjera i përkasin vitit 2020 të cilat gjithashtu, referuar të dhënave në faqen e Arbitrazhit, kanë marrë formë të prerë. Një ndër to është ankesa e një kompanie në sektorin energjetik, e cila nuk ishte dakord me tërheqjen e qeverisë shqiptare nga një kontratë për një park fotovoltaik. Bëhet fjalë për çështjen “Arka Energy B.V”, kundër Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara, për këtë vendim kërkohet 110 milionë euro. Dy çështje të tjera për të cilat as nuk është kërkuar negocim dhe janë drejt vendimit të formës së prerë janë Kompania Durrës Kurum Shipping dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës dhe nga një kompani që operon në fushën e ujësjellës-kanalizimeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here