Shefja në largim e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera ka reaguar dje ashpër ndaj sulmeve që i janë bërë asaj, vëzhguesve dhe vetingut. Javët e fundit ish-kryeministri Sali Berisha, LSI dhe nënkryetari i saj Petrit Vasili kanë lëshuar sulme të vazhdueshme ndaj ONM dhe anëtarëve të saj. Madje, ish-kryeministri Berisha sulmoi me emër Calaverën, ndërsa u detyrua që më pas të kërkonte falje. Dje Genoveva Calavera ka dhënë një mesazh në kuadër të përfundimit të detyrës së saj si drejtore për Ballkanin në KE dhe shefe e ONM. Calavera e bëri të qartë se sulmet ndaj saj dhe ONM kanë pasur si qëllim bllokimin e reformës. “Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e Vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale. Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm. Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar”, tha ajo. Ndër të tjera, Calavera u shpreh se reforma dhe vetingu në vendin tonë janë të rëndësishme dhe ato duhet të vijojnë të zbatohen. Sipas saj reformën asnjë nuk duhet ta ndalë pavarësisht presioneve të ushtruara. “Reforma në drejtësi dhe vetingu i gjyqësorit në Shqipëri janë absolutisht thelbësore dhe nuk mund të shmangen apo të ngadalësohen, pavarësisht trysnisë. Si Shefe e ONM-së, mesazhi im ka qenë dhe mbetet: ka vetëm një rrugë, të ecim përpara, së bashku, drejt zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.
Calavera vlerëson reformat
Shefja në largim e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera vlerësoi se Shqipëria në vitin 2020 ka treguar gjithashtu sipas saj vendosmëri të madhe për të vazhduar reformat. Në kontekstin e reformës në gjyqësor, Calavera shtoi se vazhdoi të jepte rezultate të mira gjë e cila është e rëndësishme për negociatat. Po ashtu, ajo vlerësoi ngritjen e organeve të reja që kanë luftuar korrupsionin në vend. “Në vitin 2020 Shqipëria ka treguar gjithashtu një vendosmëri të jashtëzakonshme për të vazhduar reformat. Në kontekstin e kësaj reforme të paprecedentë, procesi i Vetingut vazhdoi të jepte rezultate me më shumë se 330 magjistratë të verifikuar në shkallën e parë, nga të cilët më shumë se 60% u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen. Është gjithashtu shumë pozitive që të gjitha organet e reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u ngritën dhe kanë rezultuar me hetime të nivelit të lartë”, tha ndër të tjera ajo.
Mbështetja e BE ndaj Shqipërisë
Teksa foli për mbështetjen që BE ka dhënë ndaj Shqipërisë, Calavera u shpreh se 2020 ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët për shkak të tërmetit dhe pandemisë dhe sipas saj BE ka qenë gjithmonë në mbështetje të vendit tonë. Ajo vijoi më tej duke folur me shifra sa i përket mbështetjes së dhënë nga BE për pandeminë dhe tërmetin. “Bashkimi Europian qëndroi vendosmërisht pranë qytetarëve të Shqipërisë gjatë këtyre kohëve të vështira. Në konferencën ndërkombëtarë të donatorëve, BE-ja premtoi mbi 400 milionë euro për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë. Nga këto, Komisioni Europian ka vënë ndërkaq në zbatim 115 milionë euro grante për të mbështetur shkollat ??e prekura dhe trashëgiminë kulturore. Mbështetja e BE-së përballë pandemisë Covid-19 ka qenë po aq e vendosur që nga fillimi i pandemisë”, theksoi ajo.






































