Vetingu shpartallon ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë/ KPA largon për 15 vite Astrit Haxhialushin, ja si ikën pjesa dërrmuese e anëtarëve

0
36

Gjyqtarët dhe prokurorët më të rëndësishëm në drejtësi sot e gjejnë veten jashtë sistemit. Procesi i vetingut ka qenë i ashpër për shumë emra të njohur, duke treguar se shumica kanë qenë të korruptuar. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese u boshatisën, duke treguar se korrupsioni ishte nga koka. Po ashtu organi kryesor i gjyqësorit, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, është shpartalluar nga vetingu. Dje në Kolegjin e Apelimit u mbajt seanca ndaj Astrit Haxhialushit, i cili pak kohë më parë u dorëhoq nga detyra e gjyqtarit. Haxhialushi ka mbajtur dhe postin e anëtarit të KLD. Pas dorëheqjes, procesi i vetingut ndaj tij u ndërpre, por u përjashtua për 15 vite nga sistemi. Zoti Haxhialushi iu drejtua Kolegjit të Apelimit, duke e kundërshtuar pikën e dytë të vendimit që e nxjerr jashtë sistemit me 15 vite. Por KPA nuk e ka pranuar duke lënë në fuqi vendimin e KPK. “Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 225, datë 07.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Astrit Haxhialushi”, njoftoi KPA.

Shpartallimi i KLD

Nëse bëjmë një bilanc të vetingut për të gjithë anëtarët e ish-KLD rezulton se pjesa dërrmuese sot janë jashtë sistemit. Nëse i marrim me radhë, një emër mjaft i njohur është Xhezair Zaganjori. Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherësh anëtar i KLD, Zaganjori e kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut, por çështja u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në fund u vendos shkarkimi i tij pasi u gjetën parregullsi me pasurinë. Bëhet fjalë për pasuri miliona eurosh e Zganjorit, e cila nuk është justifikuar. Tjetër emër i njohur është Artan Broci. Ai u shkarkua nga detyra dhe pavarësisht se KPA gjeti disa parregullsi në vendimin e KPK e la atë në fuqi. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci u shkarkua me shumicë votash nga KPK më 31 korrik të 2018. Dy anëtaret e trupës, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja argumentuan se gjyqtari Artan Broci “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” dhe se “kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia” për shkak të konfliktit të interesit. Ndërkohë kemi dy emra të tjerë të cilët janë dorëhequr nga detyra. I pari është Astrit Haxhialushi. Ai dha dorëheqjen në tetor të vitit 2019. Ndërsa një emër tjetër i njohur që ka ndjekur rrugën e tij ditët e fundit ishte Gjin Gjoni. Ky i fundit ka qenë për shumë vite në KLD, por vendosi të japë dorëheqjen duke deklaruar se nuk ka besim te vetingu. Të gjithë këta emra kanë qenë në KLD kur ajo drejtohej nga Ilir Meta. Ndërkohë u konfirmuan në detyrë Brunilda Kadi dhe Ridvan Hado.

Emrat e tjerë

Një situatë e ngjashme është edhe me anëtarët e KLD gjatë kohës që në krye të saj ishte Bujar Nishani. Një emër që qëndroi pak kohë gjatë drejtimit të Nishanit ishte Shpresa Beçaj. Ajo u shkarkua sepse refuzoi të deklaronte pasurinë. Emër tjetër është Ilir Mustafaj. Në korrik të 2019 ai u shkarkua nga detyra pas problemeve që iu gjetën me pasurinë. Po ashtu emër tjetër është Dhurata Haveri, po e shkarkuar, ndërsa Besnik Imeraj është dorëhequr. Nuk duhet harruar dhe Shkëlqim Miri, i cili është dënuar me burg për korrupsion. I vemi i konfirmuar është Dritan Hallunaj. Nëse shohim shifrat e KPK rezulton se institucionet më të prekura nga vetingu janë ato që qëndrojë në majën e piramidës së sistemit gjyqësor. Edhe pes presupozohej që KLD të ishte institucioni që duhet të kontrollonte gjyqësori, vetingu tregon se ka qenë më keq se gjyqtarët e prokurorët.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj