OFL drejt përfundimit/589 subjekte deklaruan pasurinë, vijojnë hetimet për formularët e dërguar në prokurori

0
228

Operacionit Forca e Ligjit po i mbarojnë ditët pasi zyrtarisht, skadon më datë 31 dhjetor. Në këtë ditë është parashikuar edhe për fundin e dërgimit të formularëve për deklarimin e pasurisë nga eksponentë të krimit. Me mbylljen e OFL mbaron edhe puna për hetimin e pasurive të personave të dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë nga ana e Policisë, por që nuk do të ketë mbyllje të hetimeve për formularët e dërguar në Prokurori dhe Gjykata e Posaçme. Në datën 16 dhjetor, Operacioni Forca e Ligjit ka dërguar formularët e fundit, ndërsa në total këtë formular për deklarimin e pasurive e kanë marrë 589 persona të dënuar, ose subjekte me të shkuar kriminale. Po ashtu për shkak të pandemisë, OFL u detyrua që të ndërpresë punën për disa muaj, ndërsa kjo bëri që Ministria e Brendshme të kërkojë një akt tjetër normativ për të shtyrë afatin e punës. Ajo që është bërë e qartë, është se nëse qeveria vendos një akt të ri normativ për të shtyrë afatin e OFL, nuk do të ketë shtim të personave, por vetëm atyre që për arsye të ndryshme ende nuk u është dërguar formulari për deklarim pasurie. Deri më 5 nëntor të vitit 2020 SPAK ka marrë në dorëzim 192 kërkesa për hetim pasurie, pasi pjesa më e madhe e tyre e kanë justifikuar pasurinë brenda 48 orëve, siç parashikohet edhe në ligj. Po ashtu SPAK më herët kërkoi që formularët e OFL të trajtohen edhe në prokuroritë e rretheve, kjo për shkak se organi i posaçëm i akuzës nuk përballon dot fluksin e tyre. Sipas ligjit pasuritë e sekuestruara priten të kthehen në objekte sociale si kopshte, çerdhe, shkolla apo rajone policie. Gjatë veprimtarisë së saj OFL ka sekuestruar një sërë objektesh ku i pari ishte resorti Golden i Hajrave në Shijak. Edhe pse OFL ka shënjestruar subjektet me të shkuar kriminale, shumë prej tyre kanë kaluar sprovën e pasurisë në SPAK apo në dyert e gjykatave. Rasti konkret është pasuria e Lulzim Berishës, ku OFL kërkoi mbi 20 prona të tij, por që u liruan dhe iu kthyen sërish me argumentin se ky individ i ka justifikuar. Prej nisjes së operacionit forca e ligjit më 31 janar 2020 rreth 600 formularë vetëdeklarimi pasurie u janë dërguar eksponentëve të botës së krimit nga të cilat 190 pasuri i kanë kaluar SPAK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here