Konfirmohet në detyrë prokurori i Tiranës/ Adriano Dyrmishi del pa probleme në procesin e rivlerësimit

0
247

Prokurori i Tiranës, Adriano Dyrmishi, është konfirmuar dje në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjykuese e KPK që kreu procesin e rivlerësimit për prokurorin Dyrmishi përbëhej nga Suela Zhegu në cilësinë e kryesueses, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Adriano Dyrmishi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore, ndërsa në vitin 2010 është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë ku e ushtron funksionin prej një dekade. Komisioni konstatoi gjatë seancës dëgjimore pamundësi për blerjen e pasurisë së vetme që zotëron prokurori Dyrmishi, një autoveture tip Audi në vitin 2015 kundrejt vlerës 500 mijë lekë. Balanca negative u konstatua për shkak të mospërfshirjes së gjendjes cash në analizën financiare, pasi nuk kishte deklaruar në vitin 2015 pakësimin e këtij likuiditeti. I pyetur nga Hamitaj, prokurori Dyrmishi e pranoi se nuk e kishte deklaruar pakësimin e gjendjes cash në 2015-ën. “Ashtu si kam shpjeguar, deklarimit të vitit 2015 i mungon një fjali “pakësimi i gjendjes cash””, pohoi Dyrmishi. Ai shtoi se në deklaratat e tjera dhe në atë veting i kishte pasqyruar pakësimet e gjendjes cash. Gjithashtu, deklaroi se nuk kishte mospërputhje dhe shpjegoi se pakësimet e kësaj gjendje cash në vite ishin zëvendësuar me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes dhe për këtë arsye në vitin 2015 kishte pasqyruar si burime krijimi edhe të ardhurat familjare. “Theksoj se automjeti u ble me zvogëlimin e gjendjes cash. Kjo vërtetohet në deklarimin e gjendjes cash në deklaratën veting, ku pasqyrohet në shumën 1.4 milionë lekë dhe deklarimin si burim të shumës 2 milionë lekë të dhuruar nga prindërit”, pohoi Dyrmishi dhe theksoi se nuk qëndronte konstatimi i Komisionit se rezultonte me bilanc negativ edhe nëse konsideroheshin burimet e deklaruara prej tij. “Nëse merret parasysh pjesa e vlerës së dhuruar e deklaruar prej meje si burim, rezultoi me balancë pozitive në vlerën 121 mijë lekë. Kam deklaruar me vërtetësi mjetin dhe burimet”, tha Dyrmishi. Prokurori Dyrmishi shtoi se, edhe nëse do të konstatohej balanca negative vlera ishte e papërfillshme për të sjellë shkak penalizues ndaj tij. Në seancë u tha se Komisioni kishte konstatuar se Dyrmishi e kishte blerë mjetin më lirë nga sa e kishte blerë po atë vit personi që ia kishte shitur. Sipas Hamitajt, Dyrmishi e kishte blerë në shumën 500 mijë lekë, ndërsa personi që ia kishte shitur, e kishte blerë 7000 euro. Ai u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin, ndërsa një raport i DSIK për papërshtatshmëri u përmbys nga Komisioni, pasi u gjet i pabazuar në prova.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here