Mjeku Ilir Alimehmeti u bëri dje thirrje qytetarëve dhe mjekëve që të bëjnë kujdes me mjekimet për koronavirusin. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai ngriti shqetësim mbi trajtimin e pacientëve teksa u shpreh se kortizonët janë duke u dhënë si mjekime edhe kur nuk nevojiten. Sipas tij diçka e tillë nuk duhet të ndodhë sepse jep efekte anësore të panjohura. “Në kuadrin e frenezisë së trajtimit të COVID-19, po rendim drejt skajit tjetër mjekësor, atij të mbitrajtimit! Kujdes, medikamentet kur nuk përdoren në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, jo vetëm që nuk ofrojnë asnjë efekt por ushtrojnë efekte anësore negative të njohura e të panjohura. Ky është rasti edhe i kortizonëve, të cilët po jepen si karamele edhe në Shqipëri. Indikacioni i vetëm klinik për dhënien e kortizonëve është te pacientët e sëmurë rëndë, potencialisht në respirator. Nuk jepen kortizonë në forma të lehta. Aq më keq që ditën e parë të diagnozës”, u shpreh mjeku. Alimehmeti tregoi detaje mbi përdorimin e kortizonëve, ku dha statistikat në lidhje me efektet anësore të njohura të kortizonit dhe si ndikon ai në jetëgjatësi. “Studiuesit e qendrës prestigjioze Mayo Clinic, Rochester SHBA kryen një meta-analizë mbi përdorimin e kortizonëve në Covid-19 dhe raportuan në revistën CHEST më 28 tetor 2020 se kortizonët e rrisin vdekshmërinë e përgjithshme me 2.3 fish. Në rastet e sëmura rëndë kortizonët e ulin vdekshmërinë me 35%. Vdekshmëria e rritur te pacientët që përdorin kortizonë vjen si rrjedhojë e efekteve të njohura protrombotike të kortizonëve të kombinuar me efektet anësore negative të kortizonëve si superinfeksionet, aspergiloza pulmonare e lidhur me Covid-19, hiperglicemia dhe hipertensioni arterial”, tha Alimehmeti. Mjeku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes me trajtimet e kortizonëve dhe të mos i trajtojnë mjekimet si karamele. Ai tha se duhet të mos marrim trajtime kortizonësh në fazat e para ose në fazat e lehta të sëmundjes. “Mos merrni dhe mos jepni kortizonë në fazat e para dhe të lehta të sëmundjes! Kortizonët e dhënë pa kriter risin gjasat e vdekjes! Asnjë mjekim nuk është karamele. Mos i trajtoni si të tillë”, shkruajti ai.