Mesfushori 17-vjeçar Adri Mehmeti ishte titullar në fitoren 4-2 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kilit, në miqësoren e zhvilluar më 30 shtator. Ndeshja ishte e veçantë për Mehmetin, i cili u bë lojtari më i ri që Mauricio Poçetino ka aktivizuar si titullar në formacionin e kombëtares amerikane. SHBA-ja e nisi takimin me një formacion me moshë mesatare 23.1 vjeç, ndërsa Mehmeti, me vetëm 17 vite, ishte një prej emrave që tërhoqi vëmendjen. Për mesfushorin me origjinë nga Saranda, kjo ishte paraqitja e dytë me kombëtaren amerikane, pasi më herët kishte marrë minuta edhe në një tjetër ndeshje miqësore. Mehmeti po zhvillon një sezon pozitiv edhe në nivel klubesh. Ai është një titullar i rregullt te Nju Jork në MLS, ku deri tani ka kontribuar me një gol dhe katër asistime në kampionat. Edhe pse ka veshur fanellën e SHBA-së në dy ndeshje miqësore, Mehmeti ende mund të ndryshojë përfaqësuese në të ardhmen, pasi këto takime nuk e kanë mbyllur përfundimisht mundësinë e zgjedhjes së një tjetër kombëtareje.
Kombëtarja U19 përmbys Lituaninë dhe fiton 3-2
Kombëtarja shqiptare U-19 realizoi një përmbysje të madhe në minutat e fundit ndaj Lituanisë, duke fituar me rezultatin 3-2 në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar në stadiumin e Vorës. Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Rafaele Huli (GK), Kris Gecaj (C), Leon Sylejmani, Spasian Nasto, Dion Vata, Andreas Llana, Serxho Vogli, Rikardo Sheji, Oliver Blini, Alen Vukaj, Grei Kuqi. Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 18-të me Oliver Blinin, por Lituania reagoi në pjesën e dytë dhe përmbysi rezultatin, duke shënuar dy gola. Shqipëria nuk u dorëzua dhe në minutën e 90-të gjeti golin e barazimit, pas një autogoli të Jokubas Ziedelis, duke rikthyer gjithçka në ekuilibër. Vetëm pak çaste më vonë, kuqezinjtë fituan një penallti. Armend Muslika avancoi mirë në zonë dhe fitoi 11-metërshin, të cilin e mori përsipër ta ekzekutonte vetë. Sulmuesi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë Shqipërisë U-19 fitoren 3-2. Një sukses i rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët treguan karakter dhe reaguan deri në fund për të siguruar fitoren në miqësoren e parë ndaj Lituanisë. Dy skuadrat do të përballen sërish më 2 tetor, në stadiumin e Vorës, në orën 15:30, për ndeshjen e dytë miqësore.
Superkompjuteri i jep avantazhe Shqipërisë
Rezultatet e ndeshjeve të dyta në grupin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve kanë nxjerrë kuqezinjtë të vetëm në krye dhe në kontroll të plotë të fatit të tyre në pjesëmarrjen në Ligën C. Kuqezinjtë kanë avantazh prej dy pikësh ndaj Finlandës me të cilën ndeshen në fundjavë dhe mund ta shfrytëzojnë për të fituar grupin, që do u jepte bonuse të rëndësishme kuqezinjve në rrugën drejt Europianit 2028. Edhe superkompjuteri i “Football Meets Data” në simulimet e ndeshjeve të mbetura, sheh tashmë Shqipërinë të çojë në 72,4% shanset për të fituar grupin, në krahasim me 62,6% që kishte deri pak ditë më parë. Ngjitja nëpërmjet vendit të parë apo play-off, ka kaluar nga 75% në 82,9%, duke e bërë kështu thuajse të sigurt praninë e Shqipërisë në edicionin e ardhshëm në Ligën B.





































