42 mijë pensionistë marrin bonusin prej 5 mijë lekësh/ Fluks në sportelet e postës, PD akuza ndaj qeverisë

0
255

Ditën e djeshme ka nisur shpërndarja e bonusit prej 5 mijë lekësh të reja që do të marrin pensionistët me rastin e festave të fundvitit. Shpërndarja do të bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe bankat nga dita e djeshme deri më datë 31 dhjetor. Në sportele është vënë re fluks pensionistësh, në radhë për të tërhequr shpërblimin. Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado përmes një postimi në Facebook, ka treguar se janë rreth 42 mijë pensionistë që kanë marrë bonusin, ndërsa thekson se shpërndarja e tij vijon. “Sot filloi shpërndarja e shpërblimit për festat e fundvitit, për të gjitha kategoritë e pensioneve. 41,935 shpërblime për festat e fundvitit, të shpërndara deri në këto momente. Vazhdon shpërndarja e tyre, në përputhje me grafikun”, u shpreh ai.

PD akuza qeverisë

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me shpërblimin e qeverisë për pensionistët, të cilin e ka cilësuar si qesharak. Eksperti i ekonomisë në PD, Dorjan Teliti me anë të një postimi në rrjetet sociale ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në 7 vite u ka sjellë shqiptarëve vetëm rrënim ekonomik, ndërsa theksoi se Shqipëria ofron ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj se çdo vend tjetër i botës. “Rama, një histori 7-vjeçare dështimesh e premtimesh të rreme. Në radhë e të dëshpëruar, 670 mijë pensionistë shqiptarë të mbetur në mëshirë të një shpërblimi qesharak prej 50 mijë lekësh. Shqipëria ofron ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj, më pak se çdo vend i botës. Për 7 vite, Rama u ka sjellë shqiptarëve vetëm rrënim ekonomik, rritje të kostos së jetesës, e shtim të papunësisë. Kosto e jetesës po rritet çdo ditë. Këtë vit çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.7%, duke shkaktuar një humbje të fuqisë blerëse të pensionistëve prej rreth 100 mijë lekësh të vjetra”, tha ai.

Kategoritë që përfitojnë

Instituti i Sigurimeve Shoqërore 2 ditë më parë bëri me dije edhe kategoritë që përfitojnë shpërblimin për festat e fundvitit. Në këto kategori sipas ISSH përfshihen personat të cilët marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, po ashtu edhe personat që marrin pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”. Një tjetër kategori e personave që do të jenë përfitues të bonusit prej 5 mijë lekësh janë personat që marrin pension sipas Ligjit 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar. Sipas ISSH në kategorinë e përfituesve përfshihen po ashtu personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve”. Po ashtu në listën e kategorive përfituesve janë edhe personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar siç janë veteranët e LANÇ-it, si edhe personat që marrin pension për shkak të profesionit te vështirë, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here