Qeveria ashpërson masat kufizuese gjatë festave/ ora policore zbret në 20:30, pezullohen fluturimet me Britaninë e Madhe

0
294

Qeveria ka forcuar masat kufizuese gjatë festave të fundvitit për të mos lejuar një përhapje më të gjerë të koronavirusit. Ditën e djeshme Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të ndryshojë ora policore. Duke filluar nga data 24 dhjetor mbyllja do të nisë në orën 20:30 të mbrëmjes dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të mëngjesit. Ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ajo e cila dha detaje mbi kufizimet e reja. “Shqipëria i shtohet listës së shteteve europiane që kanë marrë vendimin për të pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe, për shkak të shfaqjes së një varianti të Covid-19. Për ata qytetarë që do të vijnë nga Britania e Madhe me fluturimet që i kanë rezervuar brenda 22 dhjetorit e kanë të detyrueshme të karantinohet për 14 ditë. Ndryshime do të ketë edhe në orën policore. Kështu që nga data 24 dhjetor deri më 4 janar qytetarët janë të detyruar që të futen në shtëpitë e tyre para orës 20:30, jo 22:00 siç është aktualisht, në të kundërtën do të gjobiten sipas Aktit Normativ që është aktualisht në fuqi. Më pas, në 5 janar do të rikthehet ora policore 22:00”, tha Manastirliu. Ajo u shpreh se këto masa janë konsideruar nga Komiteti i Ekspertëve për të bërë sa më shumë kujdes nga infektimi. Si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjes, ndryshimet e reja të orës policore do të vlejnë gjithashtu për baret dhe restorantet të cilat do të mbyllen në orën 20:30. Manastirliu u bëri thirrje gjithë qytetarëve që të shmangin daljet e panevojshme dhe aktivitetet jo thelbësore. “Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, tha Manastirliu.

Situata dhe vaksinimi

Ministrja u shpreh se lajmi më i mirë që mund të merrnim ishte fakti se vaksina arrin që të ketë efekt edhe mbi variantin e ri të koronavirusit. Ajo shtoi se pavarësisht se po punohet për vaksinën, duhet të kemi parasysh të mbajmë në kujdes veten duke zbatuar rregullat kryesore të higjienës. “Ne po punojmë për të patur sa më shpejt vaksinën. Të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksina arrin të ketë efekt edhe mbi variantin e ri të virusit. Por deri atëherë, armët që na kanë mbrojtur gjatë gjithë këtyre muajve, vazhdojnë të jenë vendimtare dhe këto janë: distancimi, maska, higjiena dhe kufizimi i kontakteve. Vlejnë për këto festa më shumë se kurrë. Festimi këtë vit duhet të jetë me familjen e ngushtë, gjithmonë duke zbatuar masat rigorozisht. Është një detyrim, mbi të gjitha për të patur mundësinë të festojmë edhe të tjera herë me njerëzit tanë më të dashur”, u shpreh Manastirliu. Ministrja tha se në bazë të analizës së Ekspertëve të Komitetit, situata paraqet qëndrueshmëri në lidhje me përqindjet e rasteve me koronavirus dhe gjithashtu shprehu vlerësimin për impaktin e masave të marra deri tani të reflektuara në këtë situatë. “Pas analizës së situatës nga Komiteti i Ekspertëve përsa i përket të dhënave epidemiologjike në përfundim të javës së 51 të epidemisë, nga vlerësimi i kryer mbi baza dinamike në dy javët e fundit rezulton një incidenc, raste të reja për 100 mijë banorë 359 raste për 100 mijë banorë. Vlerësohet në 4 javët e fundit që situata ka paraqitur një qëndrueshmëri lidhur me rastet pozitive të infektuara për 100 mijë banorë dhe përqindjen e pozitivitetit të rasteve. Nga ana tjetër vlerësohet se përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid në këtë javë dhe në dy javët e fundit është 63.7% ndërsa përqindja e shtretërve të zënë në reanimacion në spitalet Covid është 25.3%”, deklaroi ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here