Pesë studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës janë përzgjedhur për të konkurruar me projektet e tyre për transformimin e godinës së ish-“Tajvanit”, në Parkun Rinia, një nga hapësirat më të rëndësishme në qendër të Tiranës.
Konkursi ndërkombëtar për projektin “Tirana Fountain Tower” ka sjellë në Tiranë pesë alternativa arkitektonike, të hartuara nga Barozzi Veiga nga Spanja, BIG – Bjarke Ingels Group dhe Cobe nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca.
Projektet e pesë studiove synojnë të japin konceptin e ri të zhvillimit të pronës ku ndodhet sot kompleksi i njohur si “Tajvani”, duke marrë në konsideratë edhe pozicionin e tij të veçantë brenda Parkut Rinia dhe raportin me hapësirën publike përreth.
Edhe pse bëhet fjalë për një investim privat dhe një pronë private, vendndodhja në një prej pikave më të frekuentuara të kryeqytetit i jep projektit një ndikim më të gjerë urban. Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse koncepti i ardhshëm i godinës është vendosur të zgjidhet përmes një konkursi ndërkombëtar arkitekturor.
Pesë propozimet u prezantuan në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama, i cili tha se për projekte me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin urban po synohet përfshirja e studiove dhe profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës dhe planifikimit.
Sipas Ramës, synimi i konkursit është krijimi i një game alternativash për rikonceptimin e pronës dhe përzgjedhja e një projekti që t’i përgjigjet jo vetëm zhvillimit të saj, por edhe transformimeve që ka pësuar Tirana.
Godina e “Tajvanit” ka kaluar në disa faza zhvillimi ndër vite, ndërsa projekti i ri parashikon një tjetër transformim të kësaj hapësire. Për shkak të vendndodhjes së saj, koncepti fitues pritet të ndikojë jo vetëm në arkitekturën e godinës së re, por edhe në marrëdhënien e saj me Parkun Rinia dhe qendrën e kryeqytetit.
Me prezantimin e pesë projekteve, konkursi hyn tashmë në fazën e vlerësimit dhe përzgjedhjes së konceptit që do të përcaktojë pamjen e ardhshme të kësaj prone në zemër të Tiranës.





































