Parlamenti brenda vitit zgjedh pasuesin e Ganajt/ Nisin seancat dëgjimore me kandidatët, Lefterie Luzi kërkon drejtimin e ILDKP

0
274

Parlamenti ka vendosur që kreun e ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ta zgjedhë brenda këtij viti. Në shkurt mbaron mandati i Shkëlqim Ganajt dhe Komisioni i Ligjeve nuk ka humbur fare kohë për të ecur para me procedurat. Ditën e sotme do të mbahet një seancë dëgjimore me 6 emra që kanë shfaqur interes. Dy emra të njohur janë Lefterie Luzi, ish-kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Eridian Salianji, anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë nga PS dhe përfaqësues i kësaj partie në KQZ. Emra të tjerë janë Evis Fico, Helena Papa, Dhimitrulla Spiro dhe Evgjeni Bashari, aktualisht Sekretare e Përgjithshme e Inspektoriatit. Pasi të zhvillohet seanca dëgjimore Komisioni do të marrë vendim mbi 3 kandidatët që do i dërgohen seancës plenare, ku nevojiten 84 vota për të zgjedhur kreun e ri të ILDKP. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë. Sa i takon Ganajt, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm.

Kushtet për kandidatët

Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore: Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik ose ekonomik në profilin financë, Diplomë e Nivelit të Dytë; Të ketë vjetërsi në profesion, si jurist ose ekonomist financier, jo më pak se 15 vjet; Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; Të mos jetë anëtar i partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër, pjesëtar në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas ligjit, kandidatët që përmbushin kushtet ligjore të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, zgjidhen Inspektor i Përgjithshëm në bazë të këtyre kritereve objektive: Vjetërsisë në profesion; Përvojës së veçantë profesionale në fushën e të drejtës penale/administrative ose veprimtarisë audituese;

Ecurinë gjatë kryerjes së arsimit të lartë; Të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihet ndër të tjera, transparenca e plotë dhe e dokumentuar e të gjitha të ardhurave dhe aseteve dhe pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore si dhe informacioneve të tjera zyrtare të marra nga institucione të tjera publike përfshi dhe informacionet konfidenciale. Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me: çdo funksion tjetër publik; çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies; anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre.

Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm

Sa u takon kompetencave, Inspektori i Përgjithshëm drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here