Shqipëria e Rejës kthehet te fitorja, mposhtin Kazakistanin me tre gola

0
222

Shqipëria kthehet te fitorja në grupin e saj të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë ia dolën në Air Albania të mposhtnin me rezultatin 3-1, Kazakistanin. Të besuarit e trajnerit Edi Reja e vendosën ndeshjen në rrugën e duhur teksa shënuan në minutën e 16 me anë të Cikalleshit. Sulmuesi shfrytëzoi një asist të Memushaj dhe me kokë realizoi golin e parë për kuqezinjtë në impiantin e ri. Shtatë minuta më vonë, ishte Ardian Ismajli që shfrytëzoi një rrëmujë në zonë dhe dyfishoi rezultatin.

Megjithatë, gëzimi i kuqezinjve nuk zgjati shumë, teksa vetëm një minutë më pas miqtë gjetën një gol nga mesfusha duke habitur Berishën dhe të gjithë të pranishmit. Me avantazhin e Shqipërisë u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Shqipëria nis të mendojë për golin që do t’i dhuronte qetësinë.

Një gol i cili vjen në minutën e 62 nga Manaj që shndërron saktësisht një penallti të fituar nga ana e Abrashit. Më pas rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe kështu kuqezinjtë fitojnë tre pikë të rëndësishme teksa pas tre ditëve tashmë impenjimi i radhës është sërish në shtëpi, këtë herë ndaj Bjellorusisë për të kërkuar vendin e parë në grup.

Shqipëri-Kazakistan 3-1
Shënues: 16’Cikalleshi, 23’Ismajli, 62′ Manaj pen./ 24’Aimbetov

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here