Poema dramatike “Qielli im” sipas artistit Kristian Koroveshi është e ndërtuar mbi një koncept regjisorial me disa mizanskena, ku herë pas here i drejtohen afreskeve në kishë, herë pas here njëri- tjetrit dhe herë pas here është si monolog me veten. Kjo poemë që erdhi për publikun e ideuar dhe drejtuar nga Kristian Koroveshi është një nga ato iniciativat, që ai shpesh i ndërmerr në aktivitetin e tij artistik. Por sipas tij, “Qielli im” një vepër poetike e Ilirian Zhupës, është një poemë e gjatë e ndarë në tre pjesë: Ati, Biri dhe Shpirt i Shenjtë, që ka një frymëzim hyjnor. “Është një poemë shumë e brishtë për qënien njerëzore, ku është një formë lutjeje, formë pendese, formë e thellë e ndjesive emocionale, që shkon deri te kufijtë e një lloj monologu të brendshëm të secilit prej aktorëve. Kjo zhvillohet në formën e një minishfaqje teatri që ne e xhiruam. Thelbi është që të xhirohej, në mënyrë profesionale”, ka shpjeguar më parë Koroveshi, për këtë projekt, që është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Ky është projekti i nëntë në vijim të mbrëmjeve poetike, që Kristian Koroveshi zhvillon si ideator dhe drejtues. Aktorët që janë pjesë e këtij projekti me interpretimin e tyre janë të njohur dhe të vlerësuar nga publiku në teatër, por dhe në kinematografi. Por këtë herë ata erdhën me poemën dramatike shkruar nga autori Ilirian Zhupa, që është i njohur dhe i vlerësuar me krijimtarinë e tij. Disa nga vëllimet e tij me poezi janë “Diell mbi kaskadë” (1978), “Poezi”(1985),”Mos më pyet ku kam qenë” (1988), “Pema e Ëndrrës”(1990).