Fatos Kongoli me “Stinë pandemie” në Tiranë, sjell indiferencën njerëzore

    0
    226

    Shkrimtari Fatos Kongoli promovoi romanin e tij “Stinë Pandemie”, në kalanë e Tiranës. I vlerësuar me krijimtarinë e tij në letërsi, këtë herë autori përmes librit me titull “Stinë Pandemie” të shkruar gjatë muajve në izolim u rikthehet ngjarjeve, që kanë përjetuar shqiptarët në tre dekada. Vendqëndrimet e ngjarjeve mbeten thuajse të njëjtat, ashtu sikurse edhe personazhet që rimerren nga libri “I humburi”, që u shkrua vite më parë. Në Tiranë shkrimtari i njohur Fatos Kongoli tha se është përpjekur të sjelli në roman indiferencën njerëzore, sipas tij të paimagjinueshme të realitetit shqiptar. “Për këtë kam ndalur në dy momente. Momentin e prishjes së një lagjeje buzë lumit. Televizionet kanë pasqyruar ngjarjen, se si në orën 5:00 të mëngjesit policia u sul barbarisht, duke i përzënë nga shtëpitë ata banorë gjynahqarë me gaz lotsjellës. Pastaj, është dhe momenti i dytë kur qytetarët përplasen në Astir me policinë. Këtë e kam quajtur blitzkrieg-nazist (lufta rrufe, që ishte në themel të ushtrisë hitleriane)”, shprehet Fatos Kongoli. “Stinë pandemie” është prezantuar për lexuesin shqiptar në stendat e botimeve Toena që këtë javë kanë pushtuar me art një kënd të Kalasë së Tiranës. Për botuesen Irena Toçi, Fatos Kongoli ka guxuar, si asnjëherë tjetër të merret me çështjet e ditës, çështjet e ekzistencializmit që shqetësojnë qytetarët shqiptarë në këto tre dekada. Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan, është shkrimtar dhe matematikan shqiptar. Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës. Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”, është fitues gjithashtu i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për vitin 2006, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani . Në vitin 2016 është shpallur “Shkrimtari me i mire i vitit”, nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. Romani “Gënjeshtarë të vegjël” e shpalli atë autor të vitit 2019 në dy panaire libri, në Fier dhe në Prishtinë. Fatos Kongoli mban titullin “Mjeshtër i Madh”.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here