Thellohen ndarjet brenda PD/ Pas Patozit edhe Jozefina Topalli drejt krijimit të partisë së saj, të mërkurën prezanton lëvizjen e re

0
311

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të prezantojë ditën e mërkurë lëvizjen e re. Ndonëse jashtë skemës politike që prej zgjedhjeve parlamentare të 2017, kur kreu demokrat Lulzim Basha e la jashtë listës, Topalli duket se do të rikthehet me një lëvizje të re, ku në përbërje të saj do të ketë të rinj dhe profesorë të cilët nuk kanë qenë të angazhuar me asnjë parti politike më parë. Gjatë një interviste, Topalli deklaroi ditën e djeshme se nuk mund të rrijë të bëjë sehir ndërkohë që sipas saj situata në vend nuk është aspak e mirë. Sipas saj, sulmet e politikanëve të cilët luftojnë vetëm për të mbajtur pushtet nuk e impresionojnë, duke shtuar se e vërteta është liri dhe si e tillë do t’i thotë të gjitha të vërtetat e veta. Ish-kryeparlamentarja theksoi se ditën e mërkurë do të jetë pjesë e lëvizjes së re, e cila quhet “Lëvizja për Ndryshim”. “Unë nuk do rri të bëj sehir. Nuk kam qëndruar as në vitin ‘97 kur kam rrezikuar jo një herë, por disa herë të lija dhe fëmijët e mi jetimë. Nuk do bëj sehir as sot. Dhe as nuk impresionohem nga asnjë sjellje enveriste! Dëgjoj sulmet e një pale e pastaj të palës tjetër që për karriget e tyre merren vesh aq bukur dhe më kujtojnë vetëm fletërrufetë e kohës së vjetër. Unë të vërtetat e mia me parti pa parti do t’i them. E vërteta është liria ime. Të mërkurën do i bashkohem një grupi që quhet Lëvizja për Ndryshim”, tha Topalli në një intervistë në “ABC Neës”.

Projekti i ri

Pa zbuluar shumë nga projekti i ri në të cilin do të angazhohet, Topalli foli për formatin e lëvizjes në të cilin do të bëjë pjesë. Ish-kryeparlamentarja tha se “Lëvizja për Ndryshim” nuk është parti, por sipas saj është një kauzë kundër kësaj drame në të cilën është katandisur vendi, i cili po shpopullohet çdo ditë dhe më shumë. Topalli deklaroi më tej se do të jetë në mbështetje të çdo lëvizje apo kauze që mendon për të mirën e vendit, duke shtuar se është e çuditshme që krerët politikë kanë frikë nga krijimi i partive të reja në pluralizëm. “Nuk është parti. As ka lidhje me parti. Ata shohin që vendi po boshatiset. E shohin si dramë dhe duan ta bëjnë kauzën e tyre. Unë do t’i mbështes. Po të ketë iniciativa të tjera, lëvizje të tjera që synojnë të mirën e njerëzve e të vendit prapë do t’i mbështes. Por ajo nuk është parti. Por që të kesh frikë nga partitë në pluralizëm më çudit e më bën të mendoj”, u shpreh Jozefina Topalli.

Sulmet e Bashës ndaj SHBA

Topalli shprehet e bindur se nuk do të tradhtojë parimet e forcës ku u angazhua për më shumë se dy dekada, por nuk i kursen rezervat për sulme që sipas saj po bëhen nga selia blu ndaj partnerëve ndërkombëtarë. “Angazhimi im në çështje publike dhe politike është i gjatë. Për paradokset e historisë sonë, në fakt ka qenë e përcaktuar që para se të lindja. Ndaj dhe kam thënë se unë kam qenë me Partinë Demokratike që para se të lindja. Kjo ka qenë e lidhur me historinë dhe fatin e familjes sime, të qytetit ku kam lindur e rritur dhe të vendit tim. Unë jam në bindje europianiste. Nuk sulmoj faqen e Facebook të SHBA apo të ambasadorëve të tjerë të Perëndimit kur punët e karriges nuk shkojnë mirë, përmes rrogëtarëve të kunatit”, u shpreh ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Të mërkurën Lëvizja për Ndryshim pritet të prezantojë projektin e saj politik. Pjesë e këtij formacioni të ri pritet të jenë të rinj dhe pedagogë të paangazhuar në politikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here