BKH hetues nga dhjetëra fusha për të luftuar korrupsionin/OPGJ, anëtarë të SHISH e përmbarues, te IT e kontabilistë, ja profilet e kandidatëve

0
27

Byroja e Hetimit duket se do të jetë një institucion tepër i veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe pse do të jetë një farë Policie Gjyqësore e Prokurorisë së Posaçme, nuk do të jetë nga ato Polici Gjyqësore që jemi mësuar deri më tani, pasi 60 hetuesit që do të jenë pjesë e saj do të jenë të fushave nga më të ndryshmet edhe përtej hetuesisë dhe juridikut. BKH do gjurmojë paratë korruptive, do analizojë bilancet e pasurive, do verifikojë objektet e paluajtshme, etj. Për këtë arsye komisioni i posaçëm, në SPAK dhe komisioni me ekspertë të SHBA-BE po kërkojnë shumëllojshmëri profilesh. Të premten u publikua lista me 103 emrat finalë që kaluan testimin fizik, ndërsa gazeta ka bërë disa kërkime për shumë prej tyre duke zbuluar profesionet që kanë. Ajo që bie në sy është se kemi të bëjmë me profile nga më të ndryshmet. Më poshtë emrat e secilit kandidat i kemi shënuar me iniciale për të mos cenuar procesin e garës, ndërsa ajo që bie në sy është se për shembull, E.K është anëtar i Zyrës Kundër Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Po ashtu kemi dhe disa emra të tjerë që janë specialistë IT. BKH do të ketë akses në shumë databaza shtetërore. Javën e parë u arrit një marrëveshje me Tatimet për të pasur akses aty, ndërsa po ashtu do vijohet me institucione të tjera. Pra një profil që duket se do të jetë në BKH është ai i IT, pasi duhen njerëz profesionistë për të aksesuar të dhënat. Një tjetër emër është A.N, specialist prej 10 vitesh si dhe ish-shefi i zyrës juridike në zyrën e Hipotekës. Bëhet fjalë për një person me shumë përvojë në fushën e pasurive të paluajtshme. BKH pritet të fusë në skaner shumë pasuri, biznese, troje e prona të botës së krimit korrupsionit.

Ushtarakë dhe policë

Ajo që bie në sy është se për më tej janë kualifikuar dhe persona me profil ushtarak. I tillë është B.V, i cili ka mbaruar studimet në Britani. Po ashtu një vajzë është specialiste në Gardën e Republikës, ndërkohë, 2 kandidatë janë anëtarë të Policisë Ushtarake. Një tjetër kandidate ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Një numër i madh kandidatësh vijnë nga radhët e policisë, disa janë emëruar të njohur pasi mbajnë grada të larta dhe kanë drejtuar shumë komisariate ndër vite. Disa janë pjesë e patrullave, ndërkohë disa të tjerë janë pjesë e policisë kriminale. Po ashtu një tjetër emër i njohur është pjesëtar i Njësisë Antieksploziv në Policinë e Shtetit. Kategoritë e tjera janë kryesisht juristë, Oficerë të Policisë Gjyqësore, ku një vjen nga Krimet e Rënda, si dhe avokatë. Po ashtu janë disa specialistë që janë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionit të Jashtëm që po merret me vetingun në polici, apo pjesë e administratës së KLP.

Përbërja e BKH

Sipas ligjit, Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Ajo ka gjithashtu në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilët janë nën drejtimin administrativ të Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën varësi procedurale hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj