Basha u jep duart njerëzve të Berishës në PD/ Të besuarit rol kyç në degë, Këshill Kombëtar, Kryesi dhe listën e kandidatëve, ja spastrimet

0
34

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket se po pastron partinë nga njerëzit e Berishës. Lënia jashtë e 13 ish-deputetëve ka shkaktuar furtunë, por ajo që bie në sy është se kreu demokrat po ripërtërin partinë dhe po u jep duart njerëzve të Berishës nga dita në ditë.

Kulmi i përjashtimeve ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe pas paktit të 17 majit “Rama-Basha” të 3 viteve më parë, ku në mënyrë të beftë kryedemokrati Basha la jashtë shumë figura të spikatura si ish-nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli apo ish-nënkryetarin e PD, Astrit Patozi. Mirëpo nëse shihen faktet, Basha po bën revolucion edhe më të thellë në radhët e demokratëve, duke filluar nga degët, te Këshilli Kombëtar, Kryesia e listat e kandidatëve.

Prapaskenat me listat

Prej 25 qershorit Partia Demokratike ka ngritur një komision të posaçëm, i cili po merret me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë në 12 qarqe dhe ata për kryetarë të pushtetit lokal në 61 bashki të vendit. Deri më tani nga 498 kandidatët e konfirmuar nga anëtarësia dhe që plotësonin kriteret statutore për përfaqësim politik, Komisioni ka vlerësuar që 299 kandidatë nga listat e secilës degë dhe 27 kandidatë të listës kombëtare (në total 326), që t’i propozohen organeve vendimmarrëse të partisë për të qenë në listën finale të përfaqësimit të PD në zgjedhje. Por ajo që bie në sy është fakti se kryedemokrati Lulzim Basha po bën një luftë të fortë për të spastruar partinë nga njerëzit e Berishës. Basha po përdor Komisionin e Vlerësimit për të larguar besnikët e ish-liderit demokrat, sikundër janë disa nga emrat të cilët deri tani janë lënë jashtë listave për kandidatë. Mes emrave që lideri demokrat ka lënë jashtë, janë Klevis Balliu, i cili është djali i botuesit Fahri Balliu që dihet që ka lidhje me ish-kryeministrin Sali Berisha. Po ashtu, mes emrave që njihen si besnikë të Berishës dhe që kanë mbetur jashtë listave për deputetë janë Tritan Shehu, Astrit Veliaj, Xhemal Gjunkshi, Endri Hasa, Andon Frrokaj, Romeo Gurakuqi, Luan Baçi, etj. Ndërkohë që bie në sy se mes emrave që iu është hapur drita jeshile për të qenë kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, shumica janë njerëz besnikë të Bashës, duke filluar nga Ivi Kaso, Orjola Pampuri, Grida Duma, Kreshnik Çollaku, Ina Zhupa, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Dhurata Çupi, Enno Bozdo. Zoti Bozdo dhe zonja Çupi kanë qenë bashkëpunëtorë të kryedemokratit Lulzim Basha gjatë kohës që ky i fundit ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë edhe 3 nga 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit janë njerëz të Bashës dhe kritikë të Berishës si Genc Ruli, Mark Marku dhe Besnik Mustafaj.

Basha pastron organet e PD

Por pastrimi i partisë nga njerëzit e Berishës nuk prek vetëm deputetët, pasi Basha po e çon përpara projektin e tij të nisur qysh 3 vite më parë edhe në nivel degësh. Aktualisht thuajse 98% e krerëve të degëve të Partisë Demokratike në gjithë vendin janë njerëz të Bashës, pasi ata që kanë qenë të Berishës nuk janë zgjedhur më. Po ashtu, kryedemokrati Lulzim Basha ka pastruar partinë dhe në nivel të Këshillit Kombëtar, i cili u rifreskua dhe aty shumica janë besnikë të liderit demokrat. Dhe për të treguar se kjo gjë tanimë është realitet, e tregon qartë Kryesia e PD, ku nga 28 anëtarë që ka gjithsej vetëm 6 prej tyre mund të konsiderohen si besnikë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Pra, duket qartë se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po sposton njerëzit e Berishës, sikundër është fakti që në të gjithë strukturat e partisë ai ka vendosur njerëzit e tij besnikë, siç është edhe rasti me Kryesinë e PD, e cila ka në dorë dhe fatin e kandidatëve për deputetë që do të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021. Kjo do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme deputetë të Partisë Demokratike do të jenë njerëzit e Bashës dhe tek tuk mund të shikohet ndonjë që është besnik i ish-kryeministrit Berisha.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj