Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsela Ceno tha se rritja e madhe e numrit të infeksioneve me COVID-19 ka rikthyer frikën e një karantine të dytë në Gjermani.
Kjo, shpjegoi mjekja duket në reagimin e qytetarëve, shumë prej të cilëve janë ngritur në protesta, në apelin e mësuese që të vijojnë mësimin normalisht dhe tek tendenca e njerëzve të cilët njësoj si në muajt mars-prill, kur ishte karantina e parë, kanë nisur të dynden në markete për të blerë me shumicë artikujt bazë ushqimorë.
“Mund të themi që po t’i referohemi shifrave, jemi në një nivel shumë të lartë infeksionesh të reja, ndërkohë që ky numër i lartë i të prekurve akoma s’i ka ezauruar kapacitetet spitalore. Në mars kishim 3-4 mijë raste me COVID-19 në ditë. Mund të themi që virusi e ka humbur agresivitetin e vet, por të gjitha këto janë aludime. Akoma nuk mund të themi diçka të sigurt”, u shpreh mjekja për Euro News.