Kreu i shtetit Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes kompozitorin e njohur Çesk Zadeja me dekoratën “Ndëri i Kombit”
Titulli i lartë iu akordua me motivacionin:“Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve muzikore artistike shqiptare; me vlerësim kompozitorit, që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë kombëtare; dekanit të përhershëm të shkollës shqiptare të kompozimit si dhe artistit, i cili lartësoi me muzikën, veprën e tij artistike, pedagogjike dhe shkencore në mbarë botën, traditat dhe emrin e Shqipërisë”.
“Vepra e Profesor Zadesë, me një identitet të spikatur, inicioi për muzikën shqiptare një “erë të re” dhe njëkohësisht, kjo muzikë që përshkruhej si “e re” dhe “moderne” shndërrohej gradualisht në pjesë të historisë, duke zënë vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë”, tha Meta.