Një alarm për vendosjen e pajisjeve shpërthyese ka shkaktuar panik në rreth 300 shkolla në Itali, pas një emaili kërcënues të dërguar në disa institucione arsimore në qytete të ndryshme të vendit.
Kërcënimet kanë prekur shkolla në Romë, Milano, Napoli, Venecia, Trieste, Padova, Bergamo dhe Modena, si dhe në disa zona të Toskanës. Vetëm në rajonin e Lacios, më shumë se 50 shkolla janë evakuuar, sipas organizatës studentore Rete degli Studenti Medi.
Në emailin e dërguar nga jashtë Italisë, autori kërcënonte me sulme ndaj qytetarëve italianë, duke pretenduar se kishte vendosur edhe një bombë në automjetin e kryeministres Giorgia Meloni.
Autoritetet italiane kanë vënë në lëvizje strukturat e emergjencës. Zjarrfikësit po kryejnë kontrolle në institucionet e prekura për të verifikuar nëse ekziston ndonjë rrezik real nga pajisjet shpërthyese.
Situata ka vënë në alarm edhe qeverinë italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni ka thirrur një mbledhje urgjente në orën 16:00, në Palazzo Chigi, ku pritet të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, si dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi situatën si pjesë të një strategjie për përhapjen e terrorit, duke theksuar se kërcënimet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht përfshirjen e shteteve të huaja apo organizatave armiqësore.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji në Itali. Disa ditë më parë, një tjetër email kërcënues iu dërgua 280 drejtuesve të shkollave.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe një lidhje të mundshme me kërcënimet e 5 nëntorit ndaj dy fluturimeve në aeroportin Fiumicino të Romës.
Hetimet vijojnë për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për kërcënime të koordinuara apo për një përpjekje për të krijuar panik në vend.









































