Ministria e Drejtësisë ka përgatitur kornizën ligjore për rregullimin e arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar dhe brenda pak ditësh do i kalojë për shqyrtim Këshillit të Ministrave.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka deklaruar se përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës.
Ministrja Gjonaj e ka vlerësuar se miratimi i këtij projektligji dhe një mjedisi të mirërregulluar i fushës së arbitrazhit do të sillte impakt pozitiv për të gjitha grupet e interesit, ku vlen të veçohet komuniteti i investitorëve dhe bizneseve të huaja në vend, zhvillimi i mëtejshëm i të cilëve do të sjellë më shumë të hyra në buxhetin e shtetit dhe ndikime pozitive në ekonominë e vendit, duke i mundësuar kësisoj qeverisë të kryejë më shumë investime publike.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë me asistencën teknike të projektit “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS V) dhe do të paraqitet shumë shpejt për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave dhe mëtej në Kuvend.