Nga Janusz Bugajski
Më pak se një muaj nga zgjedhjet presidenciale, politika amerikane ka hyrë në ‘tokë të pashkelur’. Pasiguria në rritje varet nga shëndeti i Donald Trump pas infektimit të tij me Covid-19 dhe shtrimit fillestar në spital. Pyetje të rëndësishme ngrihen gjithashtu në lidhje me procedurat që do të ndiqen nëse ndonjë kandidatët presidencialë bëhet ‘i paaftë’.
Si Trump ashtu edhe kandidati demokrat Joe Biden janë në të shtatëdhjetat, dhe do të jenë presidentët më të vjetër në detyrë të SHBA – Trump është 74 dhe Biden 77 vjeç.
Deri më tani, Biden nuk është infektuar nga virusi, pasi ai ndjek rreptësisht procedurat gjatë paraqitjeve të tij në publik. Në ndryshim të dukshëm, Trump dhe ndihmësit e tij kanë qenë moskokëçarës duke mos mbajtur maska dhe duke u mbledhur pranë njëri-tjetrit në hapësira të mbyllura.
Për më tepër, duke pasur parasysh moshën dhe mbipeshën e Trump, infektimi mund të ndikojë duke penguar shërimin e tij të plotë.
Infektimi dhe mungesa e gatishmërisë së Trump për të zbuluar gjendjen e tij shëndetësore gjithashtu shpreh dukshëm paaftësinë e tij për t’i bërë ballë pandemisë. Mosrespektimi i rekomandimeve bazë të epidemiologëve është kthyer për të ndjekur personalisht atë dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të dëmtojë më tej perspektivën për rizgjedhjen e tij, pasi një shumicë e madhe e nënshtetasëve besojnë se ai nuk ka bërë mjaftueshëm për të kontrolluar (përhapjen) e virusit. Deri në dite e zgjedhjeve, numri i të vdekurve në SHBA (nga virusi) parashikohet të arrijë një çerek milioni.
Pas debatit të parë televiziv presidencial, sondazhet në të gjithë vendin tregojnë se Biden zgjeroi epërsinë e tij ndaj Trump në 16%. 57% e votuesve të regjistruar mbështesin Biden dhe 41% Trump. Në të gjitha pyetjet kritike, përfshirë kujdesin për shëndetin, pabarazinë racore, emërimet në Gjykatën e Lartë, krimin dhe sigurinë, e madje edhe në trajtimin e ekonomisë, Biden ka një avantazh të konsiderueshëm.
Në mes të fushatës zgjedhore, një skenar i ri krize duket në horizont, në rast se shëndeti i Trump përkeqësohet dhe atij i duhet të shtrohet sërish në spital. Nëse Presidenti bëhet i paaftë fizikisht ose mendërisht, ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Sipas nenit 25 të Kushtetutës, do i takonte Zëvendës Presidentit Mike Pence të merrte detyrën e Presidentit dhe të ishte kandidati në zgjedhjet e 3 nëntorit. Përndryshe, do të duhej të zgjidhej një tjetër republikan si kandidat me Pence si partner në kandidim. E kjo mund të provokojë trazira politike.
Republikanët mund të zëvendësojnë një kandidat të vdekur ose të paaftë, por kjo është problematike afër Ditës së Zgjedhjeve. Tashmë, mbi 60 milion vota i janë dërguar votuesve, dhe mbi 4 milion votues kanë votuar me postë. Në nenin 20 të Kushtetutës thuhet se mandati i Presidentit dhe Zëvendës Presidentit aktual përfundon në Ditën e Përurimit (Inaguration Day) më 20 Janar, pa asnjë dispozitë për ta zgjatur atë. Do të ishte pothuajse e pamundur ndryshimi i fletëve të votimit pa shtyrë zgjedhjet dhe duke e filluar procesin e votimit nga fillimi. Vetë data e zgjedhjeve përcaktohet me ligjin federal dhe vetëm Kongresi mund ta zhvendosë atë – një skenar shumë i vështirë.
Do ishte fjala për një skenar edhe më turbullues, nëse Trump në fakt i fiton zgjedhjet, por vdes ose bëhet i paaftë midis ditës së zgjedhjeve dhe inaugurimit të tij. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, megjithëse SHBA ka periudhën më të gjatë të tranzicionit në (krahasim me) çdo demokraci. Kushtetuta, si dhe ligjet zgjedhore federale dhe të shteteve, do të ndihmonin për t’i dhënë drejtim procesit. Por pa një precedent, rezultati është i paparashikueshëm. Nëse kandidati fitues vdes para se Kolegji Zgjedhor të mblidhet për të dorëzuar votat e tyre të shteteve, zgjedhësve do i duhet të bien dakord për një kandidat zëvendësues të rekomanduar nga partia fituese. Por nuk ka asnjë garanci se ata në fakt do të bienin dakort mbi kë do ta zëvendësonte fituesin e vdekur.
Neni 20 bën të qartë se nëse presidenti i rizgjedhur vdes, Zëvendës Presidenti i zgjedhur do të betohet si President në fillim të mandatit të ri. Sidoqoftë, kandidati fitues nuk është zyrtarisht presidenti i zgjedhur derisa një seancë e përbashkët e Kongresit të numërojë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe ta deklarojë fitues. Kjo mund të ndodhë vetëm pasi Kongresi i ri të betohet më 3 Janar. Vetë procesi mund të shkaktojë mosmarrëveshje dhe konflikte midis dy partive.
Ekziston një kërcënim edhe më i madh për procesin kushtetues – reagimi i bazës fanatike të mbështetësve të Trump. Ata mund të refuzojnë të pranojnë humbjen e Trump ose nuk do ta besonin se Trump është bërë i paaftë pasi ka fituar zgjedhjet. Mediat dhe rrjetet sociale pro-Trump ka të ngjarë të ndezin flakën e rezistencës duke fajësuar demokratët, liberalët, “shtetin e thellë” dhe “mediat e rreme”për organizimin e një grushti shteti ose të një rrëmbimi. Në atë pikë, perspektiva për konflikt civil të drejtpërdrejtë dhe dhunë do të përshkallëzohej në mënyrë dramatike.