Me urdhërin 101 datë 13.03.2024, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është shpallur fillimi i procesit zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, në datë 21.05.2024 si dhe data e zgjedhjeve data 21.06.2024, në përputhje me ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Por në Akademinë e Sigurisë, ky proces nuk u zhvillua. Nuk u shpallën zgjedhje, nuk u hap procedurë dhe nuk u zhvillua votim. Institucioni mbeti jashtë ciklit kombëtar të rinovimit akademik, ndërsa organet drejtuese si dhe drejtuesit aktualë vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pa një mandat të rinovuar përmes zgjedhjeve të Përgjithshme Universitare të vitit 2024.
Në qendër të kësaj situate alarmante qëndron Rektori Ilirjan Mandro, i cili sipas ligjit ka detyrimin e drejtpërdrejtë të shpallë dhe të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve universitare. Ky detyrim nuk është formal, por kusht themelor për legjitimitetin e organeve drejtuese dhe funksionimin e ligjshëm të institucionit. Mosushtrimi i këtij detyrimi ka sjellë një situatë ku Akademia e Sigurisë funksionon jashtë ciklit të rinovimit zgjedhor, ndërsa organet drejtuese me madate të përfunduara vijojnë vendimmarrjen pa kaluar në filtrin e votës akademike. Zgjedhja e Rektorit në vitin 2023, megjithese ka dyshime se është kryer pa një garë të mirfilltë dhe me shkelje thelbësore të ligjit, nuk ka krijuar një mandat 4-vjeçar, por ka qenë zgjedhje të parakohshme. Sipas Rregullores së Ministrisë së Arsimit për zgjedhjet në institucionet e arsimit të lartë, neni 5 pika 5, mandatet e dala nga zgjedhjet e parakohshme vlejnë vetëm për pjesën e mbetur të mandatit ekzistues dhe nuk hapin një cikël të ri zgjedhor. Në bazë të ligjit të arsimit të lartë zgjedhjet e rregullta për mandat të plotë shpallen nga ministria e arsimit në të njëjtën kohë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe bashke me zgjedhjen e rektorit në të njëjtin proces zgjedhor duhet të zgjidhen dhe drejtuesit e tjere si dhe organet drejtuese.
Në këtë rast është bërë vetëm zgjedhja e Rektorit i cili duhet të ishte në këtë dëtyrë deri në datën 21.06.2024, datë në të cilat në të gjitha institucionet e arsimit të lartë do të zgjidheshin drejtuesit e rinj si dhe organet e reja drejtuese. Kjo do të thotë se zgjedhjet e 2023 nuk e përjashtonin Akademinë nga detyrimi për zgjedhjet e përgjithshme universitare të vitit 2024, por përkundrazi e bënin atë të domosdoshëm dhe të detyrueshëm. Megjithatë, procesi zgjedhor nuk u shpall. Kjo situatë krijon një problem të drejtpërdrejtë juridik dhe institucional, pasi organet drejtuese vijojnë të ushtrojnë kompetenca pa kaluar në rinovimin e mandatit përmes votës akademike. Në këto kushte, vendimmarrja institucionale mbetet e ekspozuar ndaj kontestimit për mungesë të legjitimitetit të plotë, duke ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e akteve administrative dhe akademike të nxjerra gjatë kësaj periudhe.
Skandali thellohet më tej dhe nga fakti se Ilirjan Mandro që ka detyrimin të garantojë zgjedhjet është edhe përfituesi i drejtpërdrejtë i moszhvillimit të tyre, pasi vazhdimi i mungesës së zgjedhjeve siguron vijimësinë e mandatit drejtues pa rinovim dhe përtej daljes së tij në pension si punonjës i policisë së shtetit. Qënien e tij si punonjës i policisë Ilirjan Mandro e ka përdorur për të eleminuar të gjithë kandidatët që mund të vinin nga jashtë akademisë dhe që nuk ishin punonjës policie, duke bërë praktikisht zgjedhje fiktive me nje kandidat.
Në këtë mënyrë është krijuar një situatë e qartë e konfliktit të interest dhe shpërdorimit të detyrës nga Ilirjan Mandro duke e vendosur këtë institucion në një panoramë qesharake dhe barsaletash në qarqet akademike. Në aspektin e qeverisjes universitare, kjo nuk mbetet thjesht një çështje procedurale, por prek standardet bazë të një institucioni të akredituar të arsimit të lartë. Një instiucion i tillë ka detyrim të garantojë organe të zgjedhura, mandate të kufizuara dhe vendimmarrje të ligjshme e transparente. Mungesa e zgjedhjeve dhe vijimi i drejtimit pa rinovim elektoral përbën devijim nga këto standarde dhe krijon rrezik për vlerësimet e cilësisë institucionale dhe stabilitetin e akreditimit.
Sipas gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akademinë e Sigurisë janë evidentuar problematika serioze që lidhen me respektimin e kuadrit ligjor dhe funksionimin e mekanizmave të brendshëm të qeverisjes, duke ngritur shqetësime për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive të Rektorit të Akademisë për të cilin është kerkuar dhe shkarkimin e tij nga detyra. Në këtë sfond, mungesa e zgjedhjeve në vitin 2024 nuk paraqitet si një boshllëk teknik, por si një devijim institucional me pasoja të drejtpërdrejta në legjitimitetin e drejtimit dhe në funksionimin e organeve vendimmarrëse.
Ndërkohë, mungesa e reagimit nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve si dhe institucioneve të akreditimit e thellon më tej vakumin e transparencës mbi bazën ligjore të vijimit të mandatit aktual dhe funksionimit të organeve drejtuese. Në këtë panoramë, përgjegjësia për mosshpalljen dhe moszhvillimin e zgjedhjeve, si dhe për vijimin e drejtimit pa mandat të rinovuar të tij dhe organeve drejtuese, bie drejtpërdrejt mbi Rektorin Ilirjan Mandro, si autoriteti i ngarkuar nga ligji për garantimin e procesit zgjedhor dhe respektimin e ligjshmërisë institucionale. Por ku e ka gjetur këtë mbështetje kaq të fortë Ilirjan Mandro që sundon në paligjshmeri këtë institucion pa i hyrë gjëmb në këmbë? Gazeta ka kryer një investigim të plotë dhe në numrat në vijim do të zbërthejë të gjithë skemën e marrjes peng të këtij institucioni nga ky zyrtar.









































