Viti i ri akademik/ Hoxha: Po përballemi me tre sfida të rëndësishme, do përdorim paralelisht mësimin online

0
49

Universitet po përballen me vështirësitë që krijon pandemia. Në muajin nëntor fillon viti i ri akademik për Universitetin e Tiranës, ajo çka na shqetëson të gjithëve është mënyra se si do të procedohet. Për këtë çështje ka folur në një intervistë televizive, rektori i UT, Artan Hoxha. Ai tregoi se si institucionet po përballen me tre sfida në këtë vit të ri akademik, por gjithsesi ata po programojnë që ky vit të vijojë normalisht për sa i përket ezaurimit të lëndëve. Hoxha tha se përveç mësimit në auditorë po përgatitet edhe platforma për mësim online, gjithsesi theksi do të vihet në mësimin me prezencë fizike në godinat universitare. “E para është mbarëvajtja dhe përfundimi i vitit aktual akademik, e dyta planifikimi i vitit të ri dhe sfida e tretë, pranimet e reja në Universitetin e Tiranës. Për shkak të pandemisë, ka kaluar afati ligjor i tij, por ne po përgatitemi për fillimin e vitit të ri akademik, që do të jetë nga java e parë e nëntorit, sipas përcaktimit të Ministrisë së Arsimit. Përgatitjet për mirëpritjen e studentëve dhe ecurinë e mësimit kanë filluar teksa ndiqet me vëmendje ecuria e Covid-19. Ne do përpiqemi maksimalisht të përdorim auditorin dhe ta kombinojmë me leksione online, për këtë po përgatitemi, që të kemi një platforme online të universitetit, të mos përdorim më programe të ndryshme, po trajnojmë IT dhe do bëjmë të mundur që UT, fillimin e vitit të ri ta ketë në një platformë lehtësisht te përdorshme për pedagogë”, deklaroi ai. Sakaq i pyetur se si po ecën procesi i regjistrimit ai tha se në të vërtetë ka pasur reduktim të numrit të studentëve si për shkak të mesatares edhe për shkak të pandemisë, gjithsesi priten ndryshime pas raundeve të tjerë. “Mesatarja 7.5 në degët e mësuesisë po rrezikon mbylljen e disa degëve tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Nuk ka diferenca të mëdha krahasuar me regjistrimet e një viti më parë, por ajo që shqetëson rektorin është fakti që rusishtja ka të regjistruar vetëm një student ndërsa greqishtja vetëm tre deri më sot. Pavarësisht shifrave dekurajuese, shpresojmë se këto degë do ia dalin të qëndrojnë hapur pasi do të ketë regjistrime në raundet në vijim”, tha Hoxha.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj