Putini dhe Bjellorusia / Skenari po shkruhet dhe skena po përgatitet për një konfrontim shumë më të gjerë NATO-Rusi?

0
47

Nga Janusz Bugajski

Teksa përpiqet të qëndrojë në pushtet në mesin e një revolucioni paqësor në Bjellorusi, regjimi i Presidentit Aleksander Lukashenko mund të provokojë një konfrontim të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

Në Bjellorusi, një skenar i rrezikshëm do shpaloset nëse Lukashenko refuzon të zhvillojë zgjedhje të reja, megjithë protestave masive kundër parregullsive masive në zgjedhje.

Edhe pse fituesja e vërtetë e zgjedhjeve, Svietlana Tichanovskaya, u detyrua të arratisej në Lituani, rebelimi popullor ka përfshirë çdo sektor të shoqërisë dhe të gjitha pjesët e vendit.

Një zgjidhje paqësore e kryengritjes bën të detyrueshme zgjedhjet e reja të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët, të cilat do të pranoheshin si legjitime nga shumica e qytetarëve bjellorusë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, si kryetar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizata multinacionale me përvojë të pakrahasueshme në monitorimin e zgjedhjeve, ka ofruar të ndërmjetësojë bisedimet midis qeverisë dhe opozitës.

Lukashenko duket se synon të qëndrojë në pushtet, por nëse ai nuk arrin të shuajë protestat, mundësia e tij e vetme është të apelojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Putinit.

Ai tashmë ka deklaruar se ndihma e Rusisë mund të jetë e nevojshme, duke pretenduar se revolucioni popullor gjithashtu kërcënon mbijetesën e Putinit.

Putin po peshon mundësitë e tij dhe çdo vendim që ai do marrë është i rrezikshëm.

Nëse ai nuk vepron në Bjellorusi dhe Lukashenko detyrohet të tërhiqet (nga pushteti), atëherë mesazhi për qytetarët rusë do të jetë i qartë: protestat masive paqësore mund të zhdukin edhe regjimet më shtypëse.

Bjellorusia, aleati më i ngushtë i Rusisë, do të shërbejë si një shembull për veprim popullor. Helmimi i liderit të opozitës së Rusisë, Alexei Navalny, disa ditë më pare, tregon se sa shumë është frikësuar Kremlini.

Sidoqoftë, një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në Bjellorusi mund të jetë po aq e rrezikshme për Putinin. Mbështetja e Lukashenkos do të kërkonte shtypje masive dhe ndërhyrjen e forcave të sigurisë së Rusisë. Demonstratat anti-Lukashenko mund të kthehen kundër Putinit nëse ai përpiqet të orkestrojë në mënyrë të njëanshme çfarëdo ndryshimi në lidership.

Nga ana tjetër, të lejojë lideren e opozitës Tichanovskaya të marrë presidencën ose të organizojë zgjedhje të reja demokratike gjithashtu mund të rezultojë në dëm të Moskës.

Nëse Putini nuk mund të kontrollojë qeverinë e re në Minsk, Bjellorusia ka të ngjarë të këkojë lidhje më të ngushta me Perëndimin.

Në fund të fundit, Kremlini mund të përllogarisë se një ndërhyrje më e drejtpërdrejtë në Bjellorusi është e nevojshme për të ruajtur mini-perandorinë e Rusisë dhe për të vazhduar regjimin e Putinit.

Si me të gjitha sulmet ruse ndaj fqinjëve, kjo do të paraprihet nga dy elementë kryesorë. Së pari, një fushatë masive propagandistike dhe dizinformuese e orkestruar nga Moska, (në të cilën) dhe Minsku do të pretendonte se shërbimet perëndimore po bëjnë një “revolucion me ngjyra”. Polonia dhe Lituania do të paraqiteshin si agresorët kryesorë.

Dhe së dyti, do të kërkohej një provokim si pretekst për ndërhyrje ushtarake dhe paramilitare. Ky mund të jetë një incident etnik i stisur i cili përfshinë bjellorusë, rusë dhe anëtarë të minoritetit polak, të cilët ndërrmarrin një sulm terrorist ndaj një strukture qeveritare dhe për të cilin do të fajësohen sabotatorët perëndimorë, ose edhe një provokim ushtarak në kufirin e Bjellorusisë me dy anëtarët e NATO-s, Poloninë apo Lituaninë .

Ndërhyrja ruse që do pasonte, e ofruar si “ndihmë vëllazërore”, do të kishte dy synime. Së pari, do të ishte një shfaqje e forcës ushtarake në pikat më të rëndësishme të kufirit për të treguar se Rusia po mbron Bjellorusinë nga një pushtim i NATO-s.

Së dyti, një prani e milicisë në qytetet e mëdha do të planifikohej për të prishur demonstratat dhe për të kontrolluar organet kyçe me pretekstin e rivendosjes së ligjit dhe rendit dhe kapjen e terroristëve perëndimorë. Moska madje mund të vendosë të zëvendësojë Lukashenko duke i quajtur veprimet e saja si një mision humanitar për të ndihmuar në heqjen e “diktatorit të fundit të Europës”, ndërsa vendos një regjim më miqësor ndaj Rusisë dhe organizon zgjedhje të stisura nën mbikëqyrjen e Moskës.

Çdo ndërhyrje ruse e kësaj natyre do të interpretohej nga shtetet fqinje (anëtare) të NATO-s si një kërcënim i drejtpërdrejtë. Lëvizjet e mëvonshme për integrimin e Bjellorusisë në federatën Ruse, gjë së cilës Lukashenko i rezistoi, dhe për të ndërtimin e bazave ushtarake ruse në Bjellorusi do të shihen si një sfidim i pavarësisë dhe integritetit territorial të Polonisë dhe Lituanisë.

Kjo, gjithashtu, do të shihej edhe si një kërcënim për korridorin e Suwalki – një rrip i ngushtë toke midis Polonisë dhe Lituanisë- që nëse bllokohet nga forcat ruse do të parandalonte që ndihma e NATO-s të arrinte në tre republikat e Balltikut.

Një konflikt do të jetë edhe më i mundshëm nëse sektorë të ushtrisë bjelloruse, shërbimet e brendshme të saj të sigurisë dhe populli i rezistojnë në mënyrë aktive ndërhyrjes ushtarake ose paramilitare të Rusisë.

Pakica e madhe bjelloruse në Poloni gjithashtu mund të kërkojë të ndihmojë vendin amë, dhe, nga Moska, kjo mund të paraqitet si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Polonisë në Bjellorusi.

Skenari po shkruhet dhe skena po përgatitej për një konfrontim shumë më të gjerë Rusi-NATO.

Leave a Reply