Rrëfimet e ish-të burgosurit te “Mine Peza”: Vizita e Nexhmije Hoxhës në burg, pak pasi ishte martuar. Ja kush e shoqëronte

0
504

Publikohen dëshmitë e panjohura të Xhemal Alimehmetit, ish-eksponent i lartë i Rinisë së Ballit Kombëtar në periudhën e Luftës, i cili u arrestua menjëherë që në ditët e para të janarit të ’45-ës, dhe u dërgua të vuante dënimin në Burgun e Vjetër të Tiranës, “Mine Peza”. Memorie.al shkruan se ku në atë kohë ndodheshin të arrestuar një numër i madh intelektualësh, ministrash, ushtarakësh, politikanësh të njohur dhe funksionarësh të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit e më pas, si: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Mirdash, Koço Kota, Hilmi Leka, Reshit Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadarja, Tahsim Bishqemi, Shyqëri Borshi, Daut Çarçani, Kolë Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Mihal Sherko, Rrok Gera, Tefik Mborja, Sokrat Dodëbiba, Mihal Zallari, Ndoc Naraçi, etj., që përfunduan në Gjyqin Special. Rrëfimet e Alimehmetit për shtetasit e huaj që mbaheshin të izoluar në atë burg, si: italianë, gjermanë, rusë të bardhë, hungarezë, polakë, grekë, jugosllavë etj., dhe ushtarakun gjerman me gradën e kolonelit që e merrnin shpesh në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku ai deponoi… 

Në burgun e vjetër të Tiranës tek rruga “Mine Peza”, kisha dhe Bahri Omarin e Kol Tromarën, që të dy personalitete dhe njerëz me reputacion të madh në politikën shqiptare që nga fillimi i viteve 1920. Mbaj mënd se nga shkurti i vitit 1945, Bahriut i erdhi në takim gruaja e tij që ishte motra e Enver Hoxhës, të cilën e shoqëronte Nexhmija, që sapo ishte martuar me Enverin. Tek dhoma e takimeve, gruaja e Bariut i prezantoi atij Nexhmijen duke i thënë se ishte nusja e Enverit dhe nga çanta që kishte me vete, nxorri disa dhurata të vogla të cilat, çifti i sapomartuar sipas zakoneve gjirokastrite, ja kishte bërë dhurata Bahriut. Bahriu nuk deshi që t’i merrte ato, por shoku i tij Kolë Tromara, insistoi që ai nuk duhet t’jua kthente mbrapsht ato”. Kështu e kujtonte atë ngjarje të pazakontë të ndodhur në burgun e vjetër të Tiranës plot 75 vite të shkuara, (në fillimin e shkurtit të vitit 1945), Xhemal Alimehmeti, ish-eksponenët kryesor i Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, i cili ishte një nga të burgosurit politik që ndodheshin të arrestuar aty. 

Alimehmeti, i cili u arrestua që me ardhjen e komunistëve në pushtet në dhjetorin e vitit 1944 dhe vuajti për disa vite dënimin në qelitë e burgut të Tiranës, në dëshmitë që na ka dhënë pak para se të ndërronte jetë, tregonte dhe për vizitën e Nexhmije Hoxhës në burgun e Tiranës ku ajo kishte shkuar bashkë me motrën e Enverit dhe njëkohësisht bashkëshorten e Bahri Omarit, që ndodhej i arrestuar në atë burg. Po kështu për këtë ngjarje, z. Alimehmeti ka shkruar edhe në kujtimet e tija (me shkrimin e tij), që na i ka dhuruar pak para se të ndërronte jetë, ku ndërmjet shumë historive dhe ngjarjeve që datojnë që nga viti 1939 e në vazhdim gjatë gjithë periudhës së Luftës, ka shkruar edhe për misteret e atij burgu famëkeq, ku regjimi komunist në fuqi eliminoi shumë nga kundërshtarët e tij politik. Si: intelektualë të njohur, ministra, deputetë, politikanë e ushtarakë të lartë që kishin shërbyer në qeveritë e ndryshme të shtetit shqiptar që nga koha e Ismail Qemalit e deri tek ajo e kolonel Fiqëri Dines nën pushtimin gjerman, si dhe shumë shtetas të huaj gjerman, italian, hungarez, polak, rusë të bardhë etj. Por në këtë shkrim, ne do të ndalemi vetëm tek intervista që i patëm marrë z. Alimehmeti, për periudhën kur ai ndodhej në Burgun e Vjetër të Tiranës (“Mine Peza”) si dhe disa ngjarje të tjera të ndodhura në ditët e fundit të Luftës.

Zoti Alimehmeti, fillimisht a mund të na thoni diçka shkurtimisht për veten tuaj…?
Unë kam lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1923, prej nga është dhe origjina e familjes sime. Babai im, Hyseni, apo siç njihej ndryshe, Ceni, ka qenë një tregtar i njohur manifature dhe kemi banuar te rruga e “Barrikadave”, në një shtëpi që më pas na u sekuestrua nga regjimi komunist dhe u përdor si Befotrof deri nga viti 1990-të.

Ku jeni shkolluar ju?
Unë kam mbaruar gjimnazin e Tiranës në vitin 1943 dhe si shokë klase kam pasur disa nga emrat e njohur të Luftës dhe më pas të shtetit komunist, si: Manush Alimanin, Siri Kodrën, Ibrahim Uruçin, Skënder Begejën, Muhamer Spahiun, Prokop Murrën dhe Ramiz Alinë që u bë dhe President i Shqipërisë. Që në bankat e gjimnazit, unë simpatizoja idetë nacionaliste dhe më pas mora pjesë aktive me rininë e Ballit Kombëtar, duke u inkuadruar dhe me batalionin e rinisë “Besnik Çano”, në përbërje të së cilit në verën e vitit 1944, kam luftuar deri në Kosovë.

Në ç’rrethana ndodhi arrestimi juaj dhe përse u akuzuat?
Akoma pa përfunduar Lufta, në ditët e fundit të tetorit dhe fillimin e nëntorit të 1944-ës, komunistët dhe brigadat e tyre partizane që ishin vendosur në lagjet periferike të Tiranës, filluan arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politik, të cilët ata i konsideronin si “kriminel”, “tradhëtar dhe armiq të popullit”. Duke e parë situatën në Tiranë, ku komunistët filluan arrestimet dhe pushkatimet pa gjyq, në fundin e muajit nëntor 1944, unë u fsheha tek shtëpia e dajës tim, Bim Keçit. Duke qenë se më datën 28 nëntor 1944, në mitingun e madh që u mbajt para hotel “Dajtit”, ku partizanët festuan ditën e çlirimit të vendit, kryetari i qeverisë provizore, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, në fjalimin e tij shpalli një “amnisti” për të gjithë ata që nuk kishin lyer duart me gjak dhe nuk kishin bërë krime, unë mendova që të dilja e të mos rrija më i fshehur. Duke e konsideruar veten si një nga ata njerëz që duhet të fitonte nga ajo amnisti, bisedova me dajën tim, Bim Keçin, i cili vajti për të takuar Beqir Ballukun, të cilin e kishte mik të ngushtë. Dajë Bimi shkoi te Beqiri për ta pyetur nëse fitoja unë nga ajo amnisti dhe i tha: “Xhemali nuk e ka kapërcyer Adriatikun si shumë nga shokët e tij”.

Si iu përgjigj Beqir Balluku?
Beqiri i tha Bimit, se ai nuk dinte gjë për amnistinë, pasi kishte qenë në mal dhe përgjigjen për këtë, do t’ja jepte të nesërmen, pasi të shikonte dokumentat për ata që konsideroheshin “kriminel lufte”.

A ja dha përgjigjen?
Kur dajë Bimi shkoi të nesërmen për të marrë përgjigjen, Beqiri i tha: “Xhemali duhet të dalë e të mos rrijë i fshehur, pse do t’ja marrin për keq e do ta kërkojnë”. Nisur nga kjo, të nesërmen dola në bulevard dhe teksa isha duke shëtitur me shokun tim, Rexhep Spahiu, (më pas futbollist i Kombëtares), më doli përpara një djalë i ri që ishte aktivist i lagjes dhe më tha se duhet të shkoja pas tij në Komandë, ku më kërkonin për një sqarim.

A shkuat atje?
Patjetër dhe kur shkova atje, gjeta Xhavit Qesen dhe Ismail Çaushin, të cilët i njihja e më njihnin dhe mbas disa pyetjeve ata më përcollën për në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit,(tek Selvija) ku komandonin Zija Kambo e kapiteni i parë Mihallaq Zishishti.

Çfarë iu thanë aty?
Në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit (Selvija) që ishte një vënd i llahtarshëm, pasi aty janë torturuar me qindra njerëz, (shumë prej të cilëve nuk dolën më të gjallë prej andej), kapiteni Mihallaq Ziçishti më bënte presion, duke më drejtuar dy herë revolen në kokë. Mbas tre ditësh, më nxorrën në korridorin e bodrumeve dhe së bashku me tre të tjerë, na lidhën dy nga dy dhe në errësirë, të shoqëruar nga pesë roje të armatosura, na nisën për në burgun e vjetër të Tiranës.

Me kë ju lidhën ju, e kujtoni?
Mua më lidhën me Muhamer Liçon, që ishte avokat, kurse dy të tjerët ishin Zenel Bejko një fshatar i moshuar nga Libohova dhe Nuredin Çabej, një djalë i ri nga Gjirokastra. Ndërsa ashtu të lidhur po ecnim drejt rrugës që sot quhet ”Siri Kodra”, avokat Liço më pyeti: “Mos po na çojnë në Bregun e Lumit”?! Unë e kuptova në çast pyetjen e avokatit, se që në atë kohë Bregu i Lumit u bë vendi i pushkatimit të shumë fatëkeqëve që komunistët i quanin tradhëtarë e kriminelë dhe atë fat të keq e pati dhe avokat Liço, por jo aty, atë e dërguan në Korçë dhe atje e pushkatuan.

Më lart thatë se komunistët filluan arrestimet dhe pushkatimet që akoma pa u çliruar Tirana. Më konkretisht çfarë dini për këtë gjë?
Po kjo është shumë e vërtetë. Duke filluar nga fundi i tetorit dhe fillimin e nëntorit 1944, përveç qindra të arrestuarve, në Tiranë, njësitet partizane të udhëhequra nga komunistët, pushkatuan dhjetra vetë pa gjyqe. Ndodhte që shumë prej tyre u pushkatuan në oborret e shtëpive, në sy të familjarëve. Kështu ende pa mbaruar Lufta, në bodrumet e hotel ”Bristol”, u gjet një varr i përbashkët ku ishin pushkatuar pa gjyq, dhe në mënyrë barbare një numër i madh qytetarësh, ku shumica e tyre ishin intelektualë të njohur që nga periudha e Monarkisë së Zogut e më pas.

Konkretisht, për kë bëhet fjalë?
Po ja, gazetari e publicisti Nebi Çika, Aleks Mavraqi, vëllezërit Syrja e Vesim Kokolari, Ismail Petrela etj. Po kështu ato ditë janë pushkatuar dhe intelektualët: Ali Panariti, Anton Fekeçi, Jakup Deliallisi, Montaz Kokolari, Profesor Çoka, Akil Sakiqi, Lluka Xhumari e ushtarakët Boris Beleski, Nazmi Uruçi, Hamit Greblleshi, Abdulla Saraçi, Sybi Topalli, Muharrem Liku, Rakip Kalenja, e etj.

Emra të tjerë kujtoni?
Po, mbaj mënd pushkatimin e kapiten Petraq Pekmezit në oborrin e shtëpisë së tij në breg të Lanës pranë lagjes “Ali Demi”, i cili kishte shërbyer si përkthyes pranë Gestapos gjermane. Në tetorin e 1944-ës, Pekmezi kishte ndërmjetësuar midis shtabit partizan të Enver Hoxhës dhe gjermanëve për shkëmbimin e tre vajzave naziste, me dhjetë komunistë të kampit të Prishtinës. Pushkatimi i Pekmezit u bë sepse ai ishte i vetmi dëshmitar, i cili kishte dijeni për marveshjen që prishi Enver Hoxha, gjë që çoi në pushkatimin e 105 shqiptarëve të internuar të kampit të Prishtinës.

Të ndalemi dhe të flasim ngjarjet pas Luftës, por para se të dalim aty, desha t’ju pyes pak lidhur me atë që është thënë se: forcat partizane kishin arrestuar dhe i mbanin të ndaluar shumë nga kundërshtarët e tyre politikë, që pa mbaruar Lufta, është e vërtetë kjo?
Mëse e vërtetë. Burgu i parë që komunistët hapën për kundërshtarët e tyre politik, ka qenë një kazermë ushtarake në malin e Dajtit që u hap nga partizanët akoma pa mbaruar Lufta. Di se aty në atë burg në mes dhjetra të tjerëve, ka qenë dhe Prokop Mima, që më vonë u bë aktor i madh.

Ku i çuan ata të arrestuar që i mbanin aty?
Nga fillimi i dhjetorit 1944, të gjithë ata të burgosur i transferuan për në Burgun e Vjetër të Tiranës.

Në çfarë kushtesh i mbanin në atë burg? Kush ishte komandanti i tij?
Kuptohet, kushtet e jetesës së atij burgu ishin të mjerueshme, por për hir të vërtetës, duhet thënë se në vitet e para të pas Luftës, neve na lejonin çdo lloj ushqimi që na sillte familja dhe takime me njerëzit e afërm. Ndoshta kjo ishte dhe e kondicionuar me faktin se në atë kohë në Shqipëri ndodheshin ende përfaqësitë e disa shteteve Perëndimore dhe qeveria shqiptare e kryesuar nga Enver Hoxha kërkonte të njihej nga ato shtete.

Kush ishte komandanti i tij?
Me sa mbaj mënd fillimisht, komanadant i Burgut të Vjetër, ishte Aristidh Qëndro, me origjinë nga Korça. Ai ishte një djalë i ri afër të 40-ve, i gjatë e pak zeshkan. Atë njeri e njoha që ditën e parë kur më çuan në atë burg, sepse sjellja njerëzore e tij më bëri shumë përshtypje. Habija ime më e madhe ishte, se pas tre-katër javëve dhe atë (drejtorin) e sollën në qelitë tona si të arrestuar, pasi e kishin çarmatosur më parë.

Për çfarë e kishin arrestuar?
Aristidhi kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës dhe shokë i ngushtë i Zai Fundos, në atë fraksion që Enver Hoxha i quante ”trockistë”.

Ç’u bë më pas me Aristidh Qëndron?
“Mbaj mënd se një natë dimri të vitit 1946, përgjegjësi i rojeve të burgut, thirri me zë të fortë në korridor dy emra: Ndrekë Kodhelin (përkthyes i anglishtes në kohën e Monarkisë) e Aristidh Qëndron. Ai i lajmëroi ata që të bëheshin gati se do të transferoheshin në burgun e Burrelit, që po bëhej gati për të pritur shumë nga të burgosurit politik që kishin mbipopulluar burgjet e Tiranës. Në atë burg, Ndreka me Aristidhin nuk arritën kurrë, sepse siç mësuam më vonë nga disa ushtarakë të lartë që përfunduan në qelitë tona si të burgosur, me urdhër direkt të Enver Hoxhës, ata u pushkatuan rrugës me preteksin se kishin dashur të arratiseshin.

Kush ishin njerëzit që e “popullonin“ atë burg?
Asokohe burgu politik i Tiranës ishte një mozaik kombesh dhe popujsh, pasi aty kishte shtetas gjerman, italian, polak, hungarez, rusë të bardhë etj. Nga gjermanët binte në sy një kolonel që gjatë luftës kishte shërbyer si Guvernator i Korfuzit, të cilët partizanët grekë e kishin kapur rob dhe jua kishin dorëzuar shqiptarëve.

Po të tjerë kujtoni?
Po, njëri nga kapitenët gjerman, quhej Helmut Mutte. Ai ishte një burrë i gjatë me moshë rreth 35-ve, i cili zotëronte disa gjuhë. Si agjent special i Gestapos, ai gjatë Luftës kishte shërbyer në prapavijat e aleatëve. Këtë njeri e thërrisnin shpesh në zyrat e Ministrisë së Brendëshme, por askush, as dhe shokët e tij nuk e morën vesh të vërtetën pse e thërrisnin aty.

Nuk u mësua kurrë e vërteta e “vizitave” të tij në Ministrinë e Brendëshme?
Më vonë u mësua se Sigurimi i Shtetit shqiptar e kishte përpunuar atë dhe i kishte marrë një deklaratë në të cilën ai depononte se: Misionet Aleate anglo-amerikane që kishin ardhur për të ndihmuar luftën partizane në Shqipëri, kishin pasur takime të fshehta me komandën gjermane.

Përse duhej kjo deklaratë, kujt do t’i shërbente?!
Kjo deklaratë u shfrytëzua deri në OKB, nga përfaqësuesit e Bllokut Lindor, sidomos nga sovjetikët e jugosllavët. Po ashtu atë e përmendi dhe Enver Hoxha në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare. Bashkë me kolonelin ishin dy tre kapitenë e tre ushtarë.

Përveç të huajve, kë kujtoni nga ai burg?
Përveç të huajve, pjesa tjetër që përbënte dhe shumicën e të burgosurvë që ndodheshin aty, ishin ish-funksionar të lartë të regjimeve të kaluara, si ministra, deputetë, politikanë etj., që kishin shërbyer që nga qeveria e parë shqiptare e Ismail Qemalit e deri tek ajo e Fiqëri Dines nën pushtimin gjerman.

Ai i kujtoni emrat e tyre?
Mund të përmend shujë prj tyre, si: Fejzi Alizotin, Terenc Toçin, Aqif Përmetin, Gustav Mirdashin, Koço Kotën, Hilmi Lekën, Reshit Valterin, Javer Hurshitin, Dik Camin, Ismail Golemin, Zef Kadaren, Tahsim Bishqemin, Shyqëri Borshin, Daut Çarçanin, Kolë Tromarën, Bahri Omarin, Qemal Vrionin, Mihal Sherkon, Rrok Gerën, Tefik Mborjen, Sokrat Dodëbibën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e plotë të tjerë qeveritarë të lartë numëri i të cilëve arrinte rreth 100 vetë. Dhe pothuaj të gjithë këta dolën në atë që u quajt, Gjyqi Special./Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here