Ndëshkim me gjobe edhe për gjithë këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Kështu ka deklaruar Skënder Ismaili, shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili ne një interviste për ATSH, ka thënë se “Qytetarët janë shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sipas tij, në ligjin shqiptar ekziston neni që lejon marrjen e masës administrative gjobë ndaj këmbësorëve, por tashmë do nisë dhe të zbatohet me rigorozitet. “Edukimi me rregullat e qarkullimit rrugor si një nga komponentët më të rëndësishëm të sigurisë rrugore është që këto njohuri duhen marrë në të gjitha nivelet e shkollimit, që nga niveli parashkollor dhe deri në fakultet. Ka ardhur koha që lënda e njohuri mbi trafikun rrugor të jetë një nga lëndët që duhet aplikuar në të gjitha ciklet arsimore”, tha Ismaili.
“Edukimi duhet të jetë i përditshëm. Një nga treguesit më negativë ka qenë dhe përdormi i rrugës nga këmbësorët, pasi kanë njohuri të pakta se si duhet të përdorin rrugën. Ne do të propozojmë plan kombëtarë për zbatimin e rregullave të qarkullimit nga këmbësorët dhe ku duhet punuar me qytetarët për rregullat e qarkullimit rrugorë në të gjithë vendin me qëllim që këmbësorët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke bërë kalimin e rrugës në vijat e bardha..etj”,- nënvizoi Ismaili.
Ai tha se legjislacioni shqiptarë parashikon dhe masën administrative gjobë ndaj këmbësorëve. “Kodi Rrugor në nenet 188 dhe 189 të tij ka përcaktuar detyrimet e këmbësoreve ndaj drejtuesit të mjeteve dhe anasjelltas dhe policia nuk do e toleroj më shkeljen e këtij neni. Një vështirësi për zbatimin e këtyre neneve ka qenë dhe se si duhet të vilet kjo masë administrative. Natyrisht këmbësorët kanë një dokument që quhet dokumenti i identifikimit me vete dhe përmes këtij dokumenti, punonjësi i policisë rrugore i vë gjobën në emër të tij dhe kjo masë administrative i del online në të gjitha shërbimet publike që qytetari do haset, në pagesat në Bashki, kalimin e kufirit, marrjen e pensionit..etj. Çka do ta bëjë qytetarin ta paguajë gjobën, por dua të theksoi se gjoba nuk është mjet ndëshkimi, por ndërgjegjësimi”,- tha Ismaili.
Një taksist u shpreh se këmbësorët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe gjoba do ishte një zgjidhje e mirë. “Rrugët e Tiranës janë me trafik të dendur dhe normalisht ka dhe njerëz që nxitojnë. Duhet më shumë vëmendje dhe për mendimin tim, edhe qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të vëmendshëm, pasi në të dy raste ka gabim. Qytetarët nuk respektojnë vijat e bardha dhe ne detyrohemi të frenojmë dhe rëndojmë edhe më shumë trafikun. Masa e gjobës duhet të aplikohet edhe të këmbësori. Edhe familja ime nëse nuk respekton kalimin e rrugës te vijat e bardha të gjobitet. Gjoba do ndikonte edhe në ndërgjegjen tonë. Nëse do e pësonim njëherë, do mendohemi më shumë përpara se të bënim një shkelje të tillë sërish”, – tha një djalosh tjetër. “Edhe ne qytetarët jemi shkaktarë të aksidenteve, duhet gjoba”,- tha një zotëri i moshuar. “Patjetër që duhet gjobë, prandaj janë semaforët dhe vijat e bardha, për t’u respektuar”,- tha një djalosh tjetër. Një vajzë u shpreh se këmbësorët kalojnë vend e pa vend. “Ka shkelje të shumta nga këmbësorët. Po, gjoba do ndihmonte në këtë drejtim”,- u shpreh ajo.