Panik në LSI, PS nis operacionin fshesa në bashkitë e drejtuara nga partia e Kryemadhit, valë shkrimesh dhe kallëzimesh penale

0
340

Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikon seriozisht shkrirjen. Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve duket se po i kthehet në bumerang partisë së Monika Kryemadhit. Gazeta ka mësuar se kryebashkiakët e dalë fitues nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit kanë futur në skaner të gjithë administratën, sidomos në ato bashki që deri më dje janë administruar nga opozita. Sipas informacioneve, në disa bashki si ajo e Gjirokastrës, Përmetit, Devollit, Shkodrës, Lezhës, etj kryebashkiakët e rinj kanë urdhëruar nisjen e auditit për të gjitha vendimet e dhëna nga paraardhësit e tyre, si dhe për drejtorët e bashkive që drejtojnë. Mësohet se pas kontrollit shumica e drejtorëve të pezulluar nga detyra janë shkarkuar nga detyra, pasi raporti auditit të brendshëm, ka konstatuar shkelje të rënda për ta gjatë kohës që ata kanë qenë në detyrë. Sipas informacioneve, mësohet se shumica e shkeljeve ka pasur lidhje me keqmenaxhimin e fondeve dhe investimeve, si dhe punësimet pa kriter apo respektimi i orarit të punës.

Panik në LSI

Rasti më i freskët vjen nga Bashkia e Gjirokastrës, teksa mësohet se gjatë kësaj jave është shkarkuar Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Gjirokastër, K. K. Sipas informacioneve, mësohet se ai ka bërë mungesa të shumta, duke mos u paraqitur në ambientet e Bashkisë Gjirokastër dhe kësisoj është ndërmarrë procedura për shkarkimin e tij në bazë të të gjithë dispozitave që përcakton Statusi i Nëpunësit Civil. Kujtojmë që, Sekretari e ka mbajtur këtë post në administratën e mëparshme të drejtuar nga ish-kryebashkiakja Zamira Rami. Aktualisht mban edhe postin e kryetarit të LSI Gjirokastër. Natyrisht që në këtë lëvizje nuk përjashtohet as shkarkimi i sfondit politik, duke qenë se postet e drejtorëve në shumicën e rasteve janë poste politike dhe jo administrative. Nga ana tjetër, gazeta mësoi se e njëjta situatë do të vijojë edhe në ditët në vijim, ku shumë drejtorë dhe nëpunës të tjerë pritet që të shkarkohen, duke qenë se raporti i auditi i ka gjetur me shkelje. Auditi i nisur nga kryebashkiakët e rinj në bashkitë e drejtuara nga opozita, duket se ka futur në panik Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi shkarkimi i militantëve nga puna, duket se e thellon akoma më shumë krizën brenda partisë së Kryemadhit, ku rrjedhimisht kjo forcë politike tkurret elektoratikisht. Kështu që, në kushtet, kur LSI është një parti që elektoratin e saj e ka thithur rreth vetes përmes punësimit, me largimin e tyre nga puna LSI është e destinuar të shkrihet.

Kallëzime penale

Interesant është fakti se disa nga ish-kryebashkiakët e opozitës dhe drejtorët e bashkive të administruara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikojnë të ndiqen penalisht. Sinjalin e parë e dha kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili akuzoi publikisht paraardhësen e tij që vinte nga radhët e LSI, Zamira Rami se e kishte boshatisur arkën e bashkisë, ndërkohë që e kallëzoi edhe penalisht për shpërdormi detyre. Ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe me ish-kryebashkiaken e Prrenjasit, Miranda Rira, e cila u kallëzua penalisht nga pasardhësi i saj, socialisti Nuri Belba. Ndërkohë, gazeta kontaktoi me disa nga kryebashkiakët e rinj, që kanë marrë drejtimin e bashkive të opozitë, të cilët garantuan se përveç shkarkimit, drejtorët, të cilët auditi i ka gjetur me shkelje do të kallëzohen edhe penalisht. Nga ana tjetër, të njëjtët burime theksuan se ata nëpunës, të cilët janë emëruar politikisht apo që nuk kanë lidhje me pozicionin e punës ku janë do të largohen apo shkarkohen. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./ Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here