Google search engine
Home Politike Rama vizitë në Itali, arrihet pakti për të burgosurit dhe sigurimet shoqërore,...

Rama vizitë në Itali, arrihet pakti për të burgosurit dhe sigurimet shoqërore, Conte apel opozitës të ulet në tryezën e dialogut

0
335

Kryeministri Edi Rama ka bërë dje një vizitë në Itali, ku është takuar me kryeministrin italian Giuseppe Conte. Mes dy homologëve janë arritur disa marrëveshje. Njëri pakt është ai për të burgosurit dhe tjetri për sigurimet shoqërore. Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me kryeministrin italian, ka deklaruar se një tjetër pikë shumë e rëndësishme që u arrit nga takimi është fuqizimi ekonomik i dy vendeve. “Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian. Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë”, ka deklaruar Rama sa i përket çështjes së sigurimeve shoqërorë. Pra përmes këtij pakti shqiptarët që jetojnë në Itali dhe kanë punuar aty, do të kenë mundësi që sigurimet e tyre t’i njihen edhe në Shqipëri, gjë që më përpara nuk funksiononte.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe

Në deklaratën e përbashkët që ata mbajtën, kryeministri italian Conte theksoi marrëdhëniet e forcuara mes dy vendeve, teksa nënvizoi që ekziston vullneti i përbashkët për të punuar edhe më tej. Ai tha se sëbashku me Ramën kanë folur edhe për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, që tashmë janë të shkëlqyera, tha ai, sidomos në fushën ekonomike. “Megjithëse Italia është dhe mbetet partneri i parë ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, ekziston vullneti i përbashkët për të punuar edhe më tej, edhe më mirë me një angazhim të fortë nga ana e të dyja vendeve. Lidhur me këtë kemi vendosur të krijojmë një komision ekonomik të përhershëm dypalësh, për të gjetur mundësi të tjera për investime ekonomike në Shqipëri nga ana e ndërmarrjeve italiane, duke marrë në shqyrtim dhe problematikat më kryesore dhe kundërshtitë që ekzistojnë midis ndërmarrjeve italiane dhe administratës shqiptare. Ky mund të jetë një instrument për të ndihmuar ndërmarrjet tona që kanë dëshirë ta fuqizojnë praninë e tyre në Shqipëri”, deklaroi Conte. Kryeministri italian foli dhe për bashkëpunim në fushën gjyqësore, teksa theksoi luftën kundër krimit të organizuar. Më tej ai përmendi edhe paktin që dy kryeministrat kanë arritur, për transferimin e të burgosurve. “Kemi bërë gjithashtu një analizë të bashkëpunimit tashmë të ngjeshur në fushën gjyqësore dhe të policisë, duke ripohuar edhe këtu, angazhimin për të fuqizuar edhe më tej, me vëmendje të veçantë për krimin, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Jam i kënaqur të mund të them këtu se kemi arritur edhe një marrëveshje në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptarë. Një transferim i parë është në nisje e sipër dhe do të plotësohet brenda pak kohe”, ka deklaruar Conte.

Conte apel opozitës

Gjatë fjalës së tij, Conte pati edhe një mesazh për opozitën, teksa foli për krizën ai i bëri thirrje opozitës që të ulet në dialog. “Është aktuale zgjidhja e krizës politike dhe institucionale të brendshme të Shqipërisë, për të plotësuar procesin reformues dhe për të pasur gjithë letrat në rregull për takimin e ardhshëm, ku vendet anëtare të BE-së do të shprehen lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që mund të garantojë është se Italia do të jetë në radhë të parë duke e mbështetur këtë kërkesë. Angazhimi i saj për ta mbështetur këtë kërkesë në të gjitha takimet e tjera pranë BE-së dhe do ta bëjmë këtë”, deklaroi kryeministri italian.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here