Raportimet pranë CIA, ja si partizanëve u ra në dorë letra e Mit’hat Frashërit ku kërkohej bashkëpunim mes ballistëve dhe Napoleon Zervës

0
621

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon se si partizanëve u ra në dorë një letër e Mit’hat Frashërit ku kërkohej bashkëpunim me Napoleon Zervën.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

…Gjatë dimrit 1943-1944 trupat gjermane bashkë me ballistët nisën operacionin e spastrimit të zonave partizane në jug, i cili zgjati jo më shumë se një muaj. Trupat gjermane shkelën në të gjitha zonat partizane dhe prapa tyre vinin ballistët duke ngritur këshillat e komandat e tyre. Mirëpo sapo mbaroi operacioni gjerman, trupat partizane u kthyen kundër ballistëve dhe u thyen shpejt pasi nuk kishin disiplinë. Kështu partizanët fituan brenda dy javëve të gjitha zonat e humbura ndaj gjermanëve. E ardhmja për Ballin ishte e errët dhe krerët e tij nisën të largoheshin nga vendi. U munduan të vihen në kontakt me Drazha Mihailoviç në Jugosllavi mirëpo ndihma që mund t’u jepte ai ishte zero. Ata u përpoqën të kontaktonin me nacionalistët grekë (sidomos në zonën e Çamërisë) dhe konkretisht me Napolon Zervën. Për këtë Balli dërgoi në Greqi si delegat të vet Dhimitër Fallo (si person i kulturuar dhe greqisht-folës). Balli duhet të dërgonte dokumente dhe letra kredenciale për takimin nga Tirana në Korçë dhe këtë ia kishte besuar dy korrierëve të tij, Hekuran Koprencka dhe një marshall xhandarmërie, emri i të cilit nuk më kujtohet. Autobuzi Tiranë-Korçë ku po udhëtonin korrierët të veshur civilë, u ndalua rastësisht nga një kompani e Batalionit IV në grykën e Grabovicës (në mes të distancës Pogradec-Korçë). Deri një ditë më parë aty nuk ishin dukur fare forca partizane, por ato kontrolluan udhëtarët dhe një nga partizanët njohu Hekuran Koprenckën dhe shoqëruesin e tij, të cilët u arrestuan. Bashkë me ta ishte dhe Veli Vasjari, i cili kishte qenë prefekt në Korçë në kohën e Zogut. Gjatë marrjes në pyetje, Vasjari tregoi se ishte dërguar nga emigrantët shqiptarë në Turqi për të kontaktuar me Ballin dhe Legalitetin. Veliu u dërgua më pas në burgun e Korçës. Dy javë më vonë gjermanët hyjnë papritur në komandën partizane të Korçës, e kapin dhe pa e pyetur shumë e pushkatojnë, siç do të ishte dhe fati i tij nga partizanët pasi të kishin mbaruar pyetësorin. Ndërsa togeri i xhandarmërisë Hekuran Kopencka dhe shoku i tij marshall, treguan e po çonin një postë shumë të rëndësishme nga kreu i Ballit, Mit’hat Frashëri, për Komitetin e Ballit në Korçë. Se çfarë kishte posta ata nuk e dinin, por megjithatë ata u pushkatuan. Posta që Koprencka dhe shoku i tij marshall po dërgonin përmbante: Një letër interesi nga Komiteti Qendror i Ballit, me vulën e Komitetit dhe firmën e Mit’hat Frashërit, e cila deklaronte se Dhimitër Fallo është delegati zyrtar i Ballit Kombëtar për bisedimet me palën nacionaliste greke, mbi çështje që i interesojnë Ballit dhe Zervës, sidomos luftën kundër komunizmit. Siç shihet, ishte një dokument si ato që u jep shteti ambasadorëve kur i dërgojnë si përfaqësues në një shtet tjetër. Në një tjetër letër ishte një qarkore personale me udhëzime drejtuar vetëm Dhimitër Fallos, e firmosur nga Mit’hat Frashëri, ku i vihej në dukje besimi i madh i ngarkuar dhe rëndësia që organizata i jepte bisedimeve të tij. I kërkohej të bënte çmos për të siguruar ndihmën nga nacionalistët grekë, qoftë në të holla, armatime apo trupa. “Sa më shumë aq më mirë”, thuhej. Udhëzohej t’i thoshte grekëve se Balli do të mirëpriste trupat nacionaliste të Zervës për të luftuar partizanët komunistë, ndërsa premtonte se kur të tërhiqeshin gjermanët ishte gati të njihte një pjesë të pretendimeve greke për Vorio Epirin. Përveç këtyre dy dokumenteve, korrierët Hekuran Kopencka dhe shoku i tij kishin edhe një letër të Komitetit Qendror të Ballit drejtuar Komitetit të Korçës me lutjet të dërgonte sa më shpejt zarfin te Dhimitër Fallo. Nuk di ç’të them më tepër mbi këtë çështje dhe atë të Dhimitër Fallos, ajo që di është se Partia Komuniste i shfrytëzoi maksimalisht dokumentet e kapura në propagandën e saj politike kundër Ballit Kombëtar, duke i paraqitur si tradhtarë, si organizatë që nuk u mjaftua me tradhtinë kundër Hitlerit, por që punonte dhe për copëtimin e Shqipërisë nga monarko-fashistët grekë etj. Balli u zu në befasi nga kjo goditje, aq sa dhe reaksioni i tij ndaj saj ishte shumë i dobët. Partia Komuniste mobilizoi të tëra daullet e saj.

-Si dhe kur u formua qeveria e parë e malit?

Qeveria e parë e malit u formua nga Fronti Nacional Çlirimtar në tetor 1944 në Berat, në një mbledhje të Këshillit të përgjithshëm anti-fashist. Kjo qeveri u quajt “Komitet drejtues” me atributet e një qeverie. Anëtarët e komitetit që do të formonte qeverinë e ardhshme definitive të Shqipërisë ishin Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Medar Shtylla, Gaqo Tashko, Spiro Koleka, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Bedri Spahiu. Formalisht, dyert e këtij komiteti mbeteshin të hapura për anëtarë të tjerë, për elementë që partia i konsideronte të sajtë. Ky komitet u kthye në një qeveri provizore dhe në fund të nëntorit, pra kur u çlirua e gjithë Shqipëria hyri në Tiranë (i ardhur nga Berati) si klika drejtuese komuniste. Ky duket se ishte element i rëndësishëm politik pasi as Balli as Legaliteti nuk formuan qeverinë e tyre në mal, dhe erdhi si rezultat i Kongresit të Përmetit, ku u formua Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar në maj 1944. Në këtë mbledhje u vendos që parimisht qeveria e ardhshme do të ishte Republikë Popullore dhe Monarkia e Zogut u shpall e jashtëligjshme. Kongresi vendosi gjithashtu që qeveria e ardhshme do të kishte një Kushtetutë (ligjin themeltar të shtetit), e cila do të aprovohej nga përfaqësuesit e popullit ose me fjalë të tjera deputetët e zgjedhur në Asamblenë Kushtetuese, ose Parlament. Kushtetuta do ta shpallte “de jure” Shqipërinë republikë, sepse “de facto” ajo ishte shpallur në Përmet. Sipas kësaj procedure, mbledhja vendosi që me çlirimin e Shqipërisë, Fronti Nacional Çlirimtar si trupi i vetëm përfaqësues i popullit shqiptar, do të zgjidhte komitetin drejtues, i cili pas çlirimit do të kishte si detyrë: Të administronte shtetin dhe rendin publik, si dhe të organizonte zgjedhjet elektorale për Asamblenë Kushtetuese.

Kaloj tani në përshkrimin e personave të komitetit drejtues, të cilët ishin dhe në qeverinë e parë provizore të Shqipërisë. Për Enver Hoxhën, Koçi Xoxen, Myslym Pezën, Haxhi Lleshin, Medar Shtyllën, Spiro Kolekën e të tjera figura të njohura kam komentuar më herët. Do të komentoj mbi ministrin e Bujqësisë, Gaqi Tashko. Ka lindur në Korçë, kryer studimet në Francë, Gjermani e SHBA. Është rreth 55 vjeç dhe vjen nga një familje pasanike aristokrate. Tefta Tashko, soprano e njohur që ka kënduar në skenat e Italisë, SHBA e Gjermanisë ka qenë motra e tij. Ai vetë është kthyer në Shqipëri nga viti 1936 dhe ka qenë drejtor në ministrinë e Bujqësisë. Njihej në rrethet intelektuale për pikëpamje demokratike e liberale. Partia Komuniste e afroi pas vetes nga viti 1942 me qëllim që ta përdorte në rrethet intelektuale të qytetit dhe për lidhjet me nacionalistët shqiptarë. Ishte person i ndershëm e me kulturë, njeri studiues dhe jo i veprimit, ekspert për problemet e bujqësisë. Ka marrë pjesë në Konferencën e Pezës dhe është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm sepse kishte mbështetjen e Partisë Komuniste që atëherë kishte nevojë për figura të tjera përveç komunistëve për t’u maskuar. Ka qëndruar në pozitat e partisë gjithmonë, pa qenë fanatik dhe pa kundërshtuar. Ka drejtuar gjithmonë dikasterin e bujqësisë nga 1945 deri në 1954. Në 1954 ministër i Bujqësisë u bë Hysni Kapo ndërsa Tashko kaloi zv. ministër për pyjet dhe aty e lashë derisa u arratisa. Nuk i ka sjellë kurrë pengesa partisë, ka dhënë të gjithë ndihmën e mundur brenda linjës së Komitetit Qendror, për çështjet bujqësore. Tashmë karriera e tij ka marrë fund dhe pritet zbritja.

-Sa anëtarë ka pasur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë?

Deri nga fundi i vitit 1948 përbërja dhe numri i anëtarëve të komitetit ka qenë i fshehtë jo vetëm për popullsinë, por dhe për vetë anëtarët e partisë. Madje nga fundi i 1948 anëtarët e partisë nuk duhet të tregonin anëtarësimin e tyre në sytë e popullsisë dhe shokëve të tyre, në një metodë të kopjuar nga Partia Komuniste jugosllave. Partia Komuniste doli legalisht në dritë vetëm pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos. Më parë dekonspirimi i anëtarëve të partisë dënohej rëndë nga partia. Prandaj mbi numrin e anëtarëve të Komitetit Qendror të partisë në periudhën 1947-1948 unë nuk di asgjë. Për periudhën e luftës dhe kohën që pasoi deri në 1946 i kam thënë të gjitha sa kam ditur, për nga posti që ushtroja. Por nga fillimi i vitit 1949, domethënë kur partia doli hapur, numri i anëtarëve ka qenë: Byroja Politike ka pasur 9 anëtarë në periudhën 1949-1951 dhe 7 anëtarë për kohën 1951-1955. Anëtarë të Komitetit Qendror kanë qenë gjithmonë 25 vetë, nga viti 1949 deri më sot. Kandidatë të Komitetit Qendror kanë qenë rreth 7 vetë, njëlloj që nga viti 1949. Emrat e kandidatëve dhe anëtarëve i kam dhënë, sëbashku me shënimet biografike që në marrjen e parë në pyetje në Kostur e në Glifadhë, këtu e një vit më parë.

-A ka pasur marrëveshje mes komunistëve shqiptarë dhe gjermanëve gjatë tërheqjes së tyre nga Ballkani (lufta e Tiranës)?

Personalisht nuk di të ketë pasur marrëveshje me gjermanët gjatë tërheqjes së tyre nga Ballkani dhe as për marrëveshje mes partisë e gjermanëve për Tiranën. Por fakti që nuk di gjë unë nuk do të thotë se s’ka pasur marrëveshje të tilla. Unë personalisht nuk besoj që partia ka bërë marrëveshje të fshehtë me gjermanët pasi sado të fshehtë ta mbanin do të kishte ardhur në mënyrë indirekte në veshët e mi ose të shokëve të mi. Nuk kam dëgjuar kurrë për marrëveshje të tilla. Kishte marrëveshje mes gjermanëve dhe disa reparteve partizane në 1943 në kohën e kapitullimit të Italisë, por jo marrëveshje zyrtare. Kur Italia kapitulloi në shtator 1943, një pjesë e madhe e tyre nuk pranuan dorëzimin dhe vazhduan të rezistojnë ndaj forcave partizane, por u dorëzuan më vonë te gjermanët. Një pjesë e vogël pranuan dorëzimin dhe bashkëpunuan me partizanët kundër gjermanëve. Në këtë kohë depot e mëdha të italianëve me armatime, municione, veshmbathje e ushqime mbetën të braktisura. Italianët i lanë për t’i grumbulluar në zona më të sigurta pa i hedhur në erë. Gjermanët nuk kishin ardhur akoma me forca të mjaftueshme në Shqipëri sa për të kontrolluar situatën. Në ato ditë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në Berat kishin hyrë partizanët, por duke e ditur se së shpejti do të vinin gjermanët me forca të mëdha, partizanët nisën të rrëmbejnë nga këto depo armatime të shumta. Gjermanët që hynë në Berat bënë të njëjtën gjë me depot dhe në këtë kohë ata nuk luftuan njëri-tjetrin. Si në Berat u veprua me depot dhe në vende të tjera si Bilisht, Korçë e Sarandë. Këto akorde të heshtura u prishën pas 24 orëve. Lufta mes gjermanëve e partizanëve nisi me ardhjen e përforcimeve gjermane. Këtë e di me siguri se pse në atë kohë se akordet u bënë me iniciativën e komisarëve politikë në zonat e përmendura. Partia i dënoi disa herë akordet dhe Gjin Marku u përjashtua si përgjegjës për akordin e heshtur të Beratit. Ndërsa për betejën e Tiranës e përsëris se nuk di asgjë për marrëveshje të fshehtë mes partisë e gjermanëve, nuk e besoj një gjë të tillë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here