Në numrin e kaluar, gazeta “SOT” denoncoi me dokumente skandalin e një godine banimi 3-katëshe me sipërfaqe totale ndërtimi prej 450.3 m², të ngritur mbi një truall prej 543 m² në Tiranë nga “sheiku” Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro. Një ndërtim gjigant, pothuajse 500 metra katrorë, i cili në zanafillë rezultonte si “ndërtim pa leje”. Siç dokumentuam, ngritja e kësaj godine nga një pedagog me të ardhura nga paga shteti, që rrugëtimin e nisi nga dhomat e konviktit në Qytetin Studenti, ngre pikëpyetje të forta mbi integritetin e procesit të vetingut.
Por, ajo godinë afro 500 metra katrorë në kryeqytet ishte vetëm fillimi i skandalit pasuror. Sot po vijojmë investigimin duke u ndalur te pasuria tjetër e paluajtshme e familjes Mandro, e zbardhur zyrtarisht në Vendimin nr. 58, datë 06.12.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Dokumentet zyrtare dëshmojnë se pas asaj pasurie të parë fshihet një perandori e tërë me katër apartamente të tjera të blera ose të regjistruara mes Tiranës dhe Vlorës, burimi i të cilave thjesht deklarohet në veting si “kursime nga të ardhurat familjare”.
Apartamenti 75,000 euro në Tiranë në emër të bashkëshortes dhe djalit
Përveç godinës gjigante 3-katëshe, familja Mandro ka shtrirë interesat e saj pronësore në kryeqytet me një tjetër pasuri të paluajtshme të kushtueshme. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se është blerë një apartament me sipërfaqe 83.57 m² i ndodhur në Tiranë, i regjistruar në emër të bashkëshortes dhe djalit të subjektit. Vlera e rënë dakord dhe e paguar për këtë pasuri kap shifrën prej plot 75,000 eurosh. Sipas dokumenteve, shuma prej 70,000 eurosh është likuiduar në dhjetor të vitit 2016, ndërsa kësti i fundit prej 5,000 eurosh është paguar në mars të vitit 2017. Si burim financiar për këtë blerje, subjekti ka deklaruar thjesht “kursimet nga të ardhurat familjare”.
Apartamenti 83 m² në Vlorë ku u derdhën 69,000 euro cash brenda një jave
Nëse Tirana është e “blinduar” me pronat e Rektorit, qyteti bregdetar i Vlorës rezulton të jetë një tjetër pikë e nxehtë e investimeve të familjes Mandro. Dokumentet e administruara zbardhin një kontratë paraprake shitblerjeje të vitit 2009, ku Ilirjan Mandro dhe bashkëshortja e tij kanë porositur një apartament me sipërfaqe ndërtimi 95.6 m² (e regjistruar më pas faktikisht si 83 m², përfshirë 10 m² ballkon) në Vlorë, për një vlerë totale prej 72,000 eurosh. Që në nënshkrim të kontratës, ata kanë likuiduar këstin e parë prej plot 55,000 eurosh. Brenda pak ditësh, është likuiduar edhe kësti i dytë prej 14,000 eurosh, duke çuar pagesën në 69,000 euro. Diferenca prej 3,000 eurosh u anulua më vonë për shkak të vonesave të ndërtuesit, dhe kontrata përfundimtare e vitit 2012 u mbyll zyrtarisht me vlerën 5,000,000 lekë. Paralelisht, çifti bleu edhe një garazh që nga 36 m² u reduktua në 18 m², për vlerën 750,000 lekë, ku kompania ndërtuese i ktheu subjektit një diferencë prej 240,000 lekësh cash.
Apartamenti i tretë: 45,840 euro sërish në Vlorë
Ethet e blerjes së banesave në bregdet nuk ndalen me aq. Dosja e vetingut zbardh se çifti Mandro zotëron në bashkëpronësi një tjetër apartament me sipërfaqe 71 m² (nga kjo 8.5 m² ballkon) po në qytetin e Vlorës. Kjo pasuri është blerë me kontratë shitjeje të datës 30.01.2016 nga një shoqëri ndërtimi, për vlerën prej 45,840 eurosh. Edhe për këtë banesë të tretë në Vlorë, likuidimet janë bërë pjesë-pjesë dhe si burim krijimi janë deklaruar sërish të njëjtat “kursime nga të ardhurat familjare”.
Apartamenti i katërt
Për të plotësuar hartën e perandorisë së banesave, në dosjen e Rektorit figuron edhe një apartament me sipërfaqe 54.2 m² po në Vlorë. Kjo pronë është e regjistruar 100% në emër të bashkëshortes së tij, e cila e ka përfituar përmes trashëgimisë nga nëna e saj (e privatizuar fillimisht në vitin 1993 për një vlerë modeste).
Standardi i dyfishtë në vetting
Të zotërosh një godinë 3-katëshe prej 450 m² në Tiranë dhe plot katër apartamente të tjera të shpërndara mes Tiranës dhe Vlorës (ku janë derdhur qindra mijëra euro e miliona lekë investime), kërkon një bilanc financiar të jashtëzakonshëm që dy rroga shteti si pedagogë nuk e mbulojnë dot në asnjë lloj matematike. Ky rast nxjerr zbuluar standardin e dyfishtë që është përdorur në veting.
Nëse kërkojmë në arkivat e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), shohim se sistemi ka qenë i pamëshirshëm për magjistratët. Dhjetëra prokurorë dhe gjyqtarë janë flakur direkt nga sistemi për shkelje që përpara perandorisë së pronave të Mandros duken qesharake: janë shkarkuar për mosdeklarim të shtesave të vogla në apartamente, ballkone apo depozita të palegalizuara, apo për pamundësi të dokumentimit me letra tatimore të kësteve minimale prej 10 apo 15 mijë eurosh.
Për magjistratët, vetingu i drejtësisë nuk pranonte asnjë justifikim të thjeshtë pa letra të tipit “i kishim kursime familjare cash” dhe i skualifikonte menjëherë pa asnjë tolerancë. Atëherë, si ka mundësi që për Rektorin e Akademisë së Sigurisë, trupa e vetingut e AMP-së e përbërë nga Edona Dushaj, Enton Radovani dhe Henri Naqellari, i konsideroi të gjitha këto blerje të njëpasnjëshme apartamentesh si “normale”, gëlltiti justifikimin e “kursimeve” dhe e konfirmoi atë në detyrë si të nivelit të besueshëm? Pse për kupolën e Akademisë së Sigurisë ligji nuk vepron njësoj, por aplikon një sy të mbyllur përballë miliona eurove të investuara në tullë e llaç?










































