Ndeshjet e Final Four, për xhiron e dytë të kësaj minifaze, do të rikthehen këtë fundjavë me dy takime që janë thuajse vendimtare për fatet e titullit. Disfata në xhiron e parë i ka bërë shkodranët të futen në një dëshpërim moral, por edhe të reflektojnë për pasojat. Ndërkohë që Dinamo e cila i mundi ata po sheh të thyejë edhe Elbasanin këtë fundjavë. Megjithatë, dueli i parë në radhë është Vllaznia-Egnatia, të cilat përballen këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania” në një nga sfidat më të forta të fazës “Final 4” të “Abissnet Superiore”, një duel që pritet të ketë peshë të madhe në garën për titullin kampion dhe të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e sezonit.
Dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje me objektiva të qarta dhe me synimin për të marrë një rezultat vendimtar në këtë fazë ku çdo detaj mund të jetë përcaktues në rrugën drejt titullit. Përballja pritet të sjellë intensitet të lartë, rivalitet dhe një atmosferë të fortë sportive në kryeqytet, me interes të madh nga tifozët. Fitorja në këtë sfidë mund të rezultojë një hap shumë i rëndësishëm drejt objektivit final. Të dielën në “Air Albania” luhet edhe ndeshja tjetër e fazës “Final 4”, ku Elbasani përballet me Dinamo Siti në një tjetër takim vendimtar për ecurinë e garës. Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në ebileta.al, si edhe në pikën fizike pranë stadiumit “Air Albania”.
Dinamos i kthehen tre futbollistë për duelin me Elbasanin
Dinamo befasoi në duelin e parë në “Final Four”, pasi mundi pastër Vllazninë 2-0. Specialistët janë shprehur se në ndeshje teke Dinamo është thuajse vendimtare ndaj rivalet duhet t’i ruhen “nëndetëses”. Ndërkohë, Dinamo po vijon me përgatitjet për ndeshjen e së dielës, ku përballë do të ketë Elbasanin në garën për “Final 4”. Të besuarit e Dajës do të synojnë të marrin një tjetër fitore dhe të mbajnë gjallë shpresat për titullin kampion, gjithmonë nëse edhe Egnatia do të fitojë sfidën e nesërme ndaj Vllaznisë. Nga kampi blu, ka lajme të mira për sa i përket rikuperimeve, duke qenë se në ditët e fundit, Andre Teikseira dhe Klevi Qefalija janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës. Të dy lojtarët kanë lënë pas dëmtimet dhe duket se janë gati për të dhënë kontributin e tyre në skuadër. Teikseira ka munguar prej rreth 1 muaji duke qenë se pësoi dëmtim që në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Vllaznisë, duke humbur finalen, javët e fundit të kampionatit dhe ndeshjen e parë në “Final 4”. Sa i përket Qefalisë, mesfushori ka pasur shqetësime në javët e fundit.
Portieri Teqja
Lajmi më i mirë në kampin blu, është padyshim rikthimi i portierit Aldo Teqja. Blutë luajtën ndaj Vllaznisë me portierin e tretë, Tomas Kiri, i cili e mbajti portën e paprekur. Teqja ka qenë dje në stërvitje me skuadrën dhe një ditë më parë, kishte hequr penjtë teksa duket se do të jetë gati për Elbasanin. Gjasat janë që të luajë nga stoli, megjithatë gjendja e tij do të vlerësohet në ditët në vijim për të ditur nëse mund të jetë gati apo jo.
Final 4/ Ndeshjet e dyta
Vllaznia vs Egnatia, 23.05.2026 19:00
Elbasani vs Dinamo City, 24.05.2026 19:00






































