Pas thashethemeve se Rudina Hajdari është larguar nga kreu i grupit demokrat dhe vendin e saj e ka zënë deputeti Korab Lita, ky i fundit ka dalë në një konferencë për shtyp ku konfirmon gjithçka.
“Në datën 10 tetor 2019 është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar ku është diskutuar edhe për funksionimin e grupit parlamentar, ku pasi janë bërë prezente të gjitha problemet, i është kërkuar zonjës Hajdari që të tërhiqet nga drejtimi i grupit dhe të vazhdojë me detyrat e tjera të rëndësishme. Pas bërjes prezente të shpërdorimit të betimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe ligjor, zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj. Pas këtij momenti, grupi kaloi në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të tij.”, u shpreh ai.
Korab Lita sqaroi të gjithë procedurën, ndërsa tha se emri i tij u mbështet nga të gjithë të pranishmit në mbledhjen e grupit.
Korab Lita: U propozuan tre kandidatura, Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Zeneli u tërhoq nga gara dhe mbetën dy kandidatura, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Valteri kërkoi kohë për të takuar kohë për tu takuar me kolegët për qëllim lobimin për vota. Në unanimitet grupi vendosi ti jepej kohë zotit Valteri deri ditën e nesërme, datë 11 tetor. Pasi nuk gjeti mbështetje, zoti Valteri deklaroi se tërhiqet dhe më mbështet mua në këtë garë. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u firmos nga të gjithë në unanimitit. Pas këtij, në respekt të rregullores është njoftuar kryetari i kuvendit.
Më tej Lita është pyetur nga gazetarët edhe për qendrimin e Halit Valterit, i cili u tëhoq nga firma që kishte dhënë për të shkarkuar Hajdarin, ku i drejtohej me një kërkesë kreut të Kuvendit.
Lidhur me këtë, Lita u shpreh: Nëse tërhiqet Valteri, mbeten edhe 8 deputetë. Njeriu bën politika aty ku e gjen veten.
Kujtojmë se Grupi Parlamentar Demokrat po kalon momente të vështira pasi anëtarët janë përçarë dhe një pjesë e tyre kanë larguar Rudina Hajdarin nga kryesimi dhe kanë vendosur Korab Litën.