Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare më 14 nëntor, në një moment kur tensionet brenda mazhorancës kanë arritur pikën më të nxehtë politike të viteve të fundit. Ndonëse data mbetet në fazë diskutimi për konfirmim zyrtar, i gjithë fokusi i opinionit publik dhe strukturave rozë është te përplasja e hapur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të burgosur të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas detajeve të bëra publike nga gazetari Muhamed Veliu, data 14 nëntor po diskutohet intensivisht brenda selisë rozë si dita e mbledhjes së këtij forumi të rëndësishëm, ku pritet të qartësohen shumë nga ekuacionet e brendshme të partisë.
Ndërkohë, kryeministri Rama u ka dërguar një mesazh të prerë ministrave dhe drejtuesve politikë që të mos komentojnë apo t’i japin zë përplasjes me Veliajn, duke vendosur një lloj “kodi heshtjeje” brenda partisë. Ky vendim vjen pas raportimeve se në mbledhje të mbyllura, Rama e ka konsideruar ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë si “puçist”, për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen e këtij të fundit në organizimin e protestave anti-qeveritare.
Nga ana tjetër, situata është përshkallëzuar pas akuzave të forta që Erion Veliaj ka lëshuar nga burgu i Fierit, ku ndodhet i arrestuar nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Përmes disa shënimeve, Veliaj ka pretenduar se kryeministri Rama i ka dërguar në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t’i kërkuar dorëheqjen zyrtare nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe për të pranuar fajësinë lidhur me protestat e studentëve. Megjithatë, këto pretendime janë mohuar në mënyrë kategorike nga vetë ministri Gogu.
Asambleja Kombëtare e 14 nëntorit shihet si arena ku Rama do të rikonfirmojë autoritetin dhe kontrollin e plotë mbi strukturat e PS-së, posaçërisht në qarkun e Tiranës. Rendi zyrtar i ditës pritet të zbardhet në ditët në vijim, por ethet e përballjes Rama-Veliaj kanë përfshirë tashmë të gjithë kampin socialist.






































