Partia Demokratike duket se është tërhequr nga pretendimet e saj, sa i takon reformës zgjedhore. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi deklaroi dje se opozita është e vendosur që të kontribuojë në miratimin e reformës zgjedhore, duke qenë se është një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Dje nuk ka patur asnjë tryezë për reformën zgjedhore ku PD të ketë qenë e ftuar. Ka pasur një mbledhje të komisionit parlamentar. Atje marrin pjesë deputetët e Kuvendit. Kuvend që opozita e konsideron jo legjitim dhe të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017. Zoti Gjiknuri apo PS është palë në këtë proces dhe është palë e barabartë me opozitën. Qoftë PD, qoftë PS janë aktorë të zgjedhjeve dhe në momentin kur reformohen rregullat e lojës secila prej tyre është e barabartë në trajtimin apo ndërmarrjes së reformës që sjell rregulla të tjera loje. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin që jemi të gatshëm, duke qenë se është prioritet kryesor i vendosur për hapjen e negociatave, që ditën e parë kur kjo çështje u kthye në një kusht të Bundestagut opozita tha se do të japë kontributin e vet në reformën zgjedhore. Si mund të përfshihemi? Duke siguruar barazi mes palëve në këtë proces”, deklaroi ai. Më tej, Bardhi akuzoi mazhorancën se u kap në shkelje me zgjedhjet e 30 qershorit. Megjithatë, Bardhi vuri theksin te garantimi i një administrate zgjedhore që i nënshtrohet ligjit. Sipas tij, edhe ndërkombëtarët janë larguar nga ideja e depolitizimit të plotë dhe flasin për ndryshim të procedurës që propozon administratorët e zgjedhjeve për të garantuar që ata i nënshtrohen në çdo rast ligjit. “Edhe ne jemi të hapur për të parë të gjitha modelet që garantojnë administratë zgjedhore të balancuar dhe që gëzon besimin e të gjitha palëve sikundër një administratë zgjedhore që i bindet ligjit dhe jo urdhrave politikë. Për sa i përket KQZ është provuar që ky KQZ i zgjedhjeve është në pamundësi për të administruar zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse është kapur në flagrancë nga OSBE/ODIHR duke shkelur ligjin, dhe kështu reformimi i KQZ dhe mbajtja përgjegjësi e anëtarëve aktualë për shkeljet gjatë votimeve moniste të 30 Qershorit sigurisht janë kërkesa të opozitës dhe këtu biem dakord. Unë fola për një administratë zgjedhore biem dakord dhe kemi bërë propozimet tona për një administratë zgjedhore që i nënshtrohet ligji”, u shpreh ai. Ndërkohë, sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, Bardhi theksoi se ky ka qenë qëndrim i hershëm i kreut të selisë blu Lulzim Basha. Megjithatë, për momentin opozita kërkon që të garantohet leximi i votës së qytetarëve.