Kryeministri Edi Rama sw bashku me homologun e tij maqedonas Zoran Zaevi dhe presidentin e Serbisë kanë arritur në një dokument të përbashkët që, ashtu siç u tha në konferencë, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në hapësirën ballkanike
Presidenti Aleksandar Vuçiç theksoi se synimi është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.
“Dokumenti bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi. Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, ka deklaruar Vuçiç
Kryeministri Rama, në konferencën për shtyp tha se “ Në këtë takim na ka mbledhur nevoja për të rritur ekonominë, për të ulur papunësinë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të rritur shpejtësinë e shkëmbimeve tregtare dhe për 4 liritë themelore që janë në bazë të Europës së Bashkuar.
Në funksion të çuarjes përpara të planit të përbashkët në kuadër të procesit të Berlinit, Rama tha se “nuk do të presim të na ulin në tavolinë miqtë tanë europianë, por do të bëjmë gjithçka që ky proces të bëhet realitet, jo vetëm për tre vendet tona por për të gjitha vendet e rajonit, përfshi Kosovën.”
“Ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës dhe as i mosdakortësive të tashme, por duhet të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë të kenë të drejtë të jetojnë në një Ballkan të paqtë, ku nuk jetojnë qytetarë të dorës së dytë dhe se vendet tona nuk janë territore eksperimental”
Rama tha gjithashtu se “kemi rënë dakord që të takohemi sërish në Ohër, ku nuk do të jemi vetëm ne të tre por do të ftohen të gjithë vendet e Ballkanit dhe nuk ka asnjë veto për asnjë vend”.
Rama tha se brenda vitit 2021 Ballkani të jetë territor ku 5 liritë themelore të Europës të mos jenë thjesht aspirata por të jenë realitet.
Përsa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve brenda hapësirës ballkanike, Rama tha se tani ky projekt duhet të bëhet realitet.
Duke folur me shifra kryeministri Rama tha se deri tani qytetarët e vendeve ballkanike iu është dashur të qëndrojnë 26 milion orë pritje në vit për të kaluar nga njëri kufi në tjetrin dhe se kostua e këtyre pengesave ka qënë 5 fish më e lartë. Historia- tha Rama, nuk duhet të taksojë të ardhmen tonë.
Ndërkohë, takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.








































