Dokument/ PD hedh akuza të forta ndaj Veliajt: Mashtroi, paratë në Barcelonë nuk i pagoi “Fusha”. Ja nga kush u paguan 9 milionë lekë

0
352

Në një deklaratë për shtyp, ish deputetja e PD-së Dhurata Çupi akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se ka mashtruar për paratë e udhëtimit në Barcelonë. Sipas saj, udhëtimi nuk u pagua nga Fusha dhe se dy ditë në kryeqendrën katalanase kushtuan 9 milionë lekë nga paratë e taksave.

“Bashkë me ta, ajo grabit çdo pasuri të qytetit, zhduk lulishtet e gjelbëruara për të ngritur përbindëshat e betonit. Bashkë me ta dhe për ta, shpërdoron miliona euro nga taksat që Erion Veliaj ka rritur për familjet dhe bizneset e Tiranës.

Përfitimi nga grabitja e përbashkët e kryeqytetit është konkretizuar shumë qartë për qytetarët e e Tiranës në rastin e kompanisë Fusha, pronari i të cilës i ka paguar nënkryetarit të Bashkisë me kartën e vet të kreditit 907 euro natën në një hotel në Barcelonë.

Afera e paligjshme dhe korruptive është duke u hetuar pas denoncimit të Partisë Demokratike, por hetimet nuk janë të plota.”, tha Çupi.

Në paraditen e sotme, në prokurori u paraqit nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, për t’u pyetur në lidhje me pagesën e bërë nga kompania “Fusha” për hotelin ku ai u rehatua me vlerë 908 euro.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim. Partia Demokratike ka zbuluar fakte zyrtare që provojnë se Bashkia e Tiranës ka mashtruar opinionin publik për paratë që u përdorën në udhëtimin e Barcelonës.

Pas zbulimit të skandalit për pagesën 1816 euro me kartën e kreditit të pronarit të kompanisë Fusha, Bashkia e Tiranës deklaroi për Zërin e Amerikës se ‘nuk ka shpenzuar fonde të Bashkisë për udhëtimin në Barcelonë. ‘ E vërteta është krejt tjetër.

Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj.

Në reagimin për Zërin e Amerikës, për të justifikuar pagesën prej 1816 euro të hotelit të Maznikut prej kompanisë Fusha, Bashkia deklaroi se të gjitha shpenzimet e udhëtimit i pagoi kjo kompani që ndërtoi sheshin Skëndërbej. “ vazhdoi ish deputetja e PD-së.

Sipas Çupit, dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik është një provë e mashtrimit flagrant që Erion Veliaj u ka bërë qytetarëve të Tiranës, duke i gënjyer ata dhe medien për udhëtimin luksoz dy ditor në Barcelonë.

“Duke mashtruar për të mbuluar shkeljen e ligjit nga Mazniku dhe Fusha, i cili ka marrë 110 milionë euro me tendera publikë, Erion Veliaj është zbuluar si një shërbëtor i oligarkëve, që punon për interesin e tyre dhe jo të qytetarëve.”, përfundoi ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here