Kur kanë kaluar pesë ditë nga atentati që ju bë Mariglen Hakës, si pasojë e të cilit mbeti i plagosur ky i fundit dhe humbi jetën halla e tij, grupi hetimor ka bërë të mundur zbardhjen dinamikës së ngjarjes. 28-vjeçari është qëlluar nga tre armë të ndryshme dhe në vendin e ngjarjes janë gjendur plot 85 plumba. Nga hetimet e deritanishme policia dhe prokuroria ka dalë në përfundimin se personat që kanë qëlluar drejt Hakës kanë qenë vrasës me pagesë. Policia nuk ka asnjë të ndaluar për atentatin e tipit mafioz në drejtim të Mariglen Hakës, të ndodhur mbrëmjen e 21 Shtatorit në Nikël të Fushë-Krujës. Pas ngjarjes u shoqëruar në komisariat mbi 20 persona, të cilët u lanë të lirë pas marrjes në pyetje. Organizatorët e atentatit, dyshohen se kanë pasur informatorin e tyre për të hyrë në brendësi të fshatit Zezë. Madje banorët kanë deklaruar në polici se, pak para se të ndodhte plagosja e 28-vjeçarit Haka pranë urës ishin parë disa lëvizje automjetesh e njerëz të panjohur. Dyshimet janë që autorët e atentatit janë vrasës me pagesë. Ata e njihnin mirë terrenin pasi, nuk janë larguar nga rrugë kryesore automobilistike që lidh Niklën me Krujën por, kanë zgjedhur rrugën dytësore të fshatit Zezë, duke humbur edhe gjurmët. Prokurorisë dhe policisë së Krujës tashmë i duhet një punë intensive për të zbuluar skenarin e këtij atentati dhe arrestimin e autorëve të këtij krimi që i mori jetën hallës së Mariglen Hakës, shtetases Shpresa Basha. Haka dhe Basha janë gjendur përballë tre grykave zjarri, ku autorët e këtij krimi të rëndë të ndodhur në derë të shtëpisë kanë lëshuar plot 85 plumba kallashnikovi.
Hetimet
Grupi i hetimit që është ngritur për këtë ngjarje beson se goditja është kryer nga dy drejtime dhe me tre armë të ndryshme. Vetë objektivi i këtij krimi, ka rezultuar se nuk ka pasur armë me vete dhe në banesë nuk ka pasur armatim. Sipas burimeve, 85 plumba janë qëlluar nga autorët e krimit, ku për identifikimin e tyre janë kryer një sërë kontrollesh banesash dhe shoqëruar shumë persona. Por sërish deri në këtë fazë hetimet nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Pas ngjarjes autorët janë larguar. Nisur nga dinamika e këtij krimi të rëndë, burimet thanë se autorët dyshohet të jenë banorë të zonës, për shkak se edhe mjeti me të cilin janë larguar prej andej ka kaluar në rrugën dytësore të fshatit Zezë të Fushë Krujës. Ndërsa Mariglen Haka është çuar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë nga vëllai i Durim Bamit, Valter Bami. Ky i fundit ka qenë bashkë i pandehur me Hakën në një çështje penale nga prokuroria e Krujës, ku Mariglen Haka është dënuar në muajin prill 2019 në gjykatë me 1.6 vite burg, nga 2.6 vite heqje lirie që kishte kërkuar prokurori i çështjes. Ndërkohë 2 vjet burgim gjykata ka dhënë për Lutfi Hakën, duke e konvertuar këtë masë me kusht në shërbim prove, 1.5 vite burgim për Ylli Cangun, 15 muaj burgim për Skënder Lazen dhe 1 vit burgim për Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit. Këta persona akuzohen për mbajtje pa lejë të municioneve luftarake dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Mariglen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë pasi në 13 qershor 2011 është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e Bllokut. Haka u tha në atë kohë se kishte vrarë biznesmenin pasi dyshonte se ai ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, në vitin 2004.
Ngjarja
Sipas burimeve, informacioni tek Mariglen Haka, ka shkuar nga djali i xhaxhait të Hakës, i cili gjatë rrugës, kur po shkonte tek banesa e kushërit të tij, ka parë siluetën e disa personave që ndodheshin pranë shtëpisë së Hakës dhe mandej janë larguar në drejtim të bregut të lumit. Haka, djali i xhaxhait të tij dhe halla e tyre Shpresa Basha, të shqetësuar nga prezenca e këtyre personave të panjohur në orët e vona të natës, kanë dalë nga banesa në rrugë për të parë situatën se çfarë po ndodhte. Djali i xhaxhait të Hakës, është larguar për të kontrolluar në drejtim të bregut të lumit, ndërsa Haka dhe halla e tij kanë dalë në pragun e shtëpisë dhe kanë qëndruar për të parë lëvizjet rreth e qark shtëpisë. Por pikërisht në këtë moment janë dëgjuar breshëritë e automatikut, ku Mareglen Haka dhe halla e tij Shpresa Basha, janë qëlluar me 85 plumba, ku Basha ka mbetur e vdekur në vend ndërsa, ndërsa Mariglen Haka u plagos rëndë.
Elvis MYRTA