Cilësia e dobët e ligjeve ka thelluar përplasjet midis deputetëve socialistë dhe ministrave. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Kryetarëve, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja kanë lëshuar akuzua të forta ndaj qeverisë. Fjalën hapëse e ka mbajtur Ruçi, i cili foli lidhur me projektligjet, ku ka tërhequr vëmendjen e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalit. “Lidhur me projektligjet që i paraqiten Kuvendit do të doja të tërhiqja vëmendjen dhe kujdesin e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, veçanërisht lidhur me relacionet shoqëruese të projektligjeve, të cilat duhet të respektojnë rigorozisht kërkesat e nenit 68, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, pasi në shumë raste ka mjaft projektligje që vijnë në Kuvend jo sipas kërkesave të përcaktuara nga Rregullorja dhe këtu kam parasysh, në radhë të parë, pjesën e konsultimit me publikun”, tha Ruçi. Ndër të tjera ai tha se tabela e konsultimit me publikun në shumicën e rasteve mungon në të gjitha relacionet e projektligjeve, ku shtoi se është e detyrueshme për një kategori jo të vogël projektligjesh. “Ka mangësi në shpjegimin e efekteve sociale dhe ekonomike që ka ai projektligj për një komunitet të caktuar për efektet mjedisore e të tjera, për të mos përmendur këtu edhe mangësitë në tekstet e marrëveshjeve ku tabela e përputhshmërisë, apo anekse dhe shtojca të tyre mungojnë”, vijoi akuzat Ruçi. Së dyti, ai pati një kritikë për marrëveshjet, ku theksoi se është detyrim ligjor, që marrëveshjet në Kuvend nuk duhet të vijnë të pavërtetuara zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë, ku shtoi se një tjetër problem sipas tij është tabela e përputhshmërisë me legjislacionin e BE. “Problem tjetër jo më pak i rëndësishëm ngelet tabela e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, pasi në shumicën e rasteve ka mjaft pasaktësi, në disa raste nuk jepen arsyet e plota të përputhshmërisë, të plota apo të pjesshme, dhe në disa raste nuk jepen afatet për arritjen e përafrimit të plotë, gjë që është e detyrueshme, sipas Rregullores, ose ka pasur raste kur nuk është identifikuar qartë shkalla e përputhshmërisë. Është shënuar, fjala vjen në tabelën përkatëse përputhshmëria e plotë, ndërkohë që ka rezultuar që përputhshmëria nuk është e plotë, por e pjesshme”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Manja akuza për ligjet
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja po ashtu i qëndroi në krah akuzave të Ruçit dhe akuzoi qeverinë për ligjet, duke i vlerësuar si të cekët e të pakonsultuar. Manja po ashtu iu drejtua Spiropalit, duke i kërkuar llogari, se përse relacionet nuk janë pasqyruar tryezat e konsultimit publik. “Kam dy shqetësime në lidhje me projektligjet që do të që vijnë nga qeveria dhe relacionet që e bashkëshoqërojnë projektligjin. Ju, me të drejtë, i kishit listuar disa mangësi që kanë këto relacione që bashkëshoqërojnë projektligjet, por, e shikoj të udhës, meqenëse këtu kemi edhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, të them se në këto relacioneve shpeshherë nuk janë pasqyruar tryezat e konsultimit publik, që janë zhvilluar në funksion të këtyre projektligjeve që kalojnë në qeveri”, u shpreh Manja. Ai theksoi se Komisioni i Ligjeve e ka shumë të nevojshme që në relacion të pasqyrohen tryezat e konsultimit publik për efekt të transparencës parlamentare. Ndër të tjera Ruçi kërkoi nga shërbimet e Kuvendit, edhe nga Konferenca e Kryetarëve, që të respektojnë afatet e vendosura nga Rregullorja e re.
Arbjona ÇIBUKU