Berisha nuk tërhiqet, presion Bashës të rikthehet te mosbindja civile, kërcënon Ramën dhe bën thirrje për tym e flakë

0
354

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se nuk tërhiqet nga planet e tij për të çuar vendin drejt mosbindjes civile. Teksa kreu demokrat Lulzim Basha është tërhequr nga skenarët destabilizues dhe po përqendrohet te platformat konkrete, dje Berisha i ka dërguar një mesazh. Në një intervistë për “Syri TV”, Berisha deklaroi se opozita nuk duhet të humbasë kohë dhe të kthehet te protesta. Por sipas tij, nuk duhet të jenë si protestat e para 30 qershorit, por duhet të jenë të fuqishme. Ai ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama disa herë, duke u shprehur se qytetarët do e detyrojnë që të kërkojë azil jashtë vendit. Sipas ish kryeministrit, largimi i Ramës nga qeveria do të ndodh shumë shpejt, para zgjedhjeve të 2021. “Unë mendoj se shqiptarët janë të ngritur dhe unë pres ndryshime të fuqishme. Pakënaqësia ndaj Edi Ramës është në rritje dhe shumë e madhe. Ajo pakënaqësi do shpërthejë. Opozita do jetë në krye të saj, këtu nuk mund të marrim periudha të përkohshme. Edi Rama do largohet në mënyrën më të sigurt me faqen e zezë për ato që i ka bërë Shqipërisë. Zoti Rama do largohet me bisht në shalë. Vala tjetër e protestave gjigante do ta detyrojë Ramën të kërkoj azil politik. Nëse hapen manualet e mosbindjes civile janë të përshkruara me dhjetëra metoda nga të cilat nuk ka diktator e klan mafioz që iu reziston, ato janë shkatërrimtare. Këto do ndodhin shumë shpejt. Shqiptarët mezi presin. Rama do largohet para zgjedhjeve me azil politik”, u shpreh Berisha.

Berisha sulmon OSBE

Por ish kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu as sulmet në drejtim të ambasadorit të OSBE Bernd Borchardt. Sipas tij, ftesa që ambasadori i OSBE i bëri opozitës nuk duhet të mbante firmën e bashkëkryetarit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri, duke e akuzuar se Borchardt është rreshtuar në krah të socialistëve. “Nëse ambasadori i OSBE-së ftoi opozitën, ftesë mbi ftesë bëri Rama, ajo ishte me bisht. Ftesa e Ramës ishte një bisht. Opozita i është përgjigjur në radhë të parë raportit të OSBE-ODIHR me ftesë të OSBE-së, por edhe partnerë të tjerë kanë inkurajuar opozitën që të angazhohen në këtë proces. Brochard ka qenë ambasador i Gjermanisë këtu kur unë isha kryeministër dhe këtë periudhë një sërë projektesh gjermane janë zbatuar. Të hysh në bindjet e tij të majtë apo qendrës së djathtë. Bëri shumë mirë që ftoi, por në ftesën e tij vuri edhe emra të shqiptarëve, duke thyer protokoll. Imagjino firma e ambasadorit me firmën e kriminelit elektoral. Kaq të forta i ka sentimentet për socialistët saqë bëri diçka që nuk e ka bërë kurrë. Në vlerësimin tim ky është një akt i padenjë”, u shpreh Berisha. Sulmeve të ish kryeministrit nuk i shpëtuan as faktorët ndërkombëtar. Sipas tij, janë ambasadorët e akredituar në Shqipëri ata të cilët kanë ndikuar negativisht në shumë ngjarje jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Po ashtu ai pranoi se ishte i pari që hodhi idenë e djegies së mandateve. “E kam bërë kur u bë zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm sepse pashë që u shkel çdo parim. Pashë që u shkel edhe nga ndërkombëtarët. Nuk mund të pranoj kurrë ndërhyrjen e tyre me pasoja shumë të rënda. Çdo gjë e mirë që arrihet në këtë vend. Basha pa diskutim ka mbështetjen, ndihmën fisnike e bujare të ndërkombëtareve. Suksesi dhe ndëshkimi në Shqipëri lidhet me drejtuesit shqiptarë. Por a kanë ndikuar ndërkombëtarët? Në mënyrë të padiskutueshme. Si në të gjithë Ballkanin. Nga masakra e Sarajevës deri te zgjedhja e Arta Markut, ka qenë dorë ose gabimi i ndërkombëtarëve”, deklaroi Berisha.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here