Reforma në drejtësi, Komisioneri Publik dokumente sekrete në KPA për Besnik Muçin, sot vuloset fati i Kushtetueses

0
302

Reforma në drejtësi po ecën me hap të shpejtë. Organet e reja të ngritura e kanë të përqendruar punën e tyre tek procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët si edhe tek ringritja e Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon procesit të rivlerësimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi dje shqyrtimin gjyqësor për prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. I konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Muçi po kalon vetingun e dytë pas ankimimit të Komisionerit Publik. Ky i fundit renditi dje në seancë të gjitha arsyet se pse Muçi duhet shkarkuar. Sipas Komisionerit Dariel Sina, Muçi ka probleme me pasurinë. Sipas tij, prokurori Muçi nuk ka paraqitur prova për justifikimin e kursimeve në vlerën e 200 mijë lekëve si dhe për katër hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët ndër vite me qëllim financimin e blerjes së dy apartamenteve në pronë të tij. “Subjekti nuk ka paraqitur prova për të vërtetuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të shumave të marra hua nga familjarët e tij. KPK nuk ka hetuar dhe nuk ka kryer analizë financiare mbi mundësinë e huadhënësve për të kursyer vlerat e sipërcituara”, argumentoi Komisioneri Publik. Interesant është fakti se Komisioneri Publik ka në dorë një raport sekret për prokurorin Besnik Muçi. Këtë raport e ka hartuar Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe u dorëzua në KPA. Por Dariel Sina nuk dha detaje se çfarë përmban ky raport. Raporti u administrua nga trupa gjykuese, e cila do të shprehet në datën 1 tetor kur do të mbahet edhe seanca e radhës nëse do të merret si provë apo jo. “Prokurori Besnik Muçi dhe personat e lidhur me të nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave dhe pasurive të deklaruara; se ai ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara”, tha Sina.

Sot vuloset fati i Kushtetueses

Një tjetër çështje e reformës në drejtësi që pritet të marrë zgjidhje së shpejti është ringritja e Gjykatës Kushtetuese. Prej gati një viti vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese për shkak të shkarkimeve të pothuajse të gjithë anëtarëve të saj. Në fakt, vetë Besnik Muçi është i lidhur edhe me ringritjen e Gjykatës Kushtetuese sepse kandidon për një vend vakant aty. Për t’i dhënë zgjidhje situatës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet sot. Gjatë mbledhjes së sotme do të kryhet pikëzimi përfundimtar i gjashtë kandidatëve. Pas këtij akti, listat pritet t’iu dorëzohen Kuvendit dhe Presidencës, për t’i hapur rrugën përzgjedhjes së emrave të rinj. Po ashtu, do të diskutohet për nisjen e procedurave vlerësuese për kandidatët e tjerë që u publikuan para disa ditësh nga Kuvendi. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 21.09.2019, ora 10.00, thërret mbledhjen e KED, me këtë rend dite: Diskutimi dhe miratimi i Listave Përfundimtare të Renditjes së Kandidaturave për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, si edhe i raporteve përkatës të kësaj renditjeje. Shpallja e fillimit të procedurës së verifikimit të kandidaturave për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, shpallur nga Kuvendi në datën 21.08.2019, si edhe zhvillimi i procedurës së shortit për përcaktimin e relatorit të këtij vendi vakant. Diskutim për ecurinë e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe numrin e kandidatëve të mbetur për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur me Dekretin nr. 10723 datë 07.02.2018 nga Presidenti i Republikës”, njoftoi KED dje për mediat.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here