Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi dje vendimin për ish-kryetaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona Seknaj. Ajo u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve të shumta që kishte me pasurinë. Një nga pasuritë që lëkundi pozitat e saja ishte një shtëpi dy-katëshe në Velipojë. Për këtë pasuri trupi gjykues i kishte gjetur ish-gjyqtares se ka kryer ndërtim të paligjshëm në vitin 2013. “Komisioni, në lidhje me pasurinë godinë 2-katëshe me sip. 200 m², mbi truall me sip. 360 m², në fshatin Pulaj, Velipojë, ka konstatuar se subjekti ka kryer ndërtim të paligjshëm në vitin 2013. Ndërtimet e paligjshme nga dhjetori i vitit 2014, parashikohen si vepër penale referuar nenit 199/a të Kodit Penal, të Republikës së Shqipërisë. Subjekti ka deklaruar se ndërtimi i kësaj godine është kryer nga investitori N. M.. Komisioni vlerëson se aplikimi pranë ALUIZNI-t për legalizimin e këtij ndërtimi është bërë nga bashkëshorti i subjektit dhe ndërtimi ishte në nivel karabinaje, për pasojë ishte konsumuar veprimi i ndërtimit të paligjshëm dhe nuk mund të pranohet pretendimi i subjektit se ndërtimi i paligjshëm ishte kryer nga investitori. Deri në momentin e aplikimit për legalizim, investitori nuk kishte kryer asnjë veprim juridik që ta lidhte atë me ndërtimin e paligjshëm”, thuhet në vendim. Probleme KPK gjeti edhe me burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj godine. Sipas hetimit të komisionerëve të vetingut, z. N. M. nuk ka patur mundësi të investonte atë shumë për krijimin e kësaj pasurie. “Subjekti, me kërkesë të Komisionit, ka depozituar dokumentacion ligjor, për të provuar burimin e ligjshëm për vlerën e investimit ndërtim godine 2-katëshe. Sipas deklarimeve të subjektit ky investim është kryer gjatë viteve 2013 – 2014 dhe vlera e investimit është deklaruar në shumën 5.373.356 lekë.Nga analiza e kryer ka rezultuar se, Z. N.M. në 10 vitet e fundit ka pasur të ardhura të ligjshme, por janë të pamjaftueshme për të ndërtuar objektin godinë 2- katëshe, në vlerën – 5.281 euro (38.337 – 33.056), si dhe vlerën e mobilimit”, thuhet në vendimin e KPK.