Dosja e Izet Haxhisë drejt SPAK, gjykata pranon kalimin te Krimet e Rënda, kambana alarmi për Berishën

0
313

Dosja e vrasjes së ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari pritet të rigjykohet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Ditën e djeshme Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë u shpreh për kërkesën e Prokurorisë së Tiranës dhe në fund të seancës shpalli moskompetencën. Një javë më parë dy prokurorët e çështjes kërkuan nga trupi gjykues që shqyrtimi gjyqësor i dosjes së Izet Haxhisë të mos vijojë tek kjo gjykatë, por të kalojë tek Gjykata e Krimeve të Rënda. Argumenti që ata përdorën ishte fakti qëIzet Haxhia akuzohet për vrasjen e një funksionari të lartë publik, në këtë rast të një deputeti, dhe këto vepra penale i hetojnë dhe gjykojnë Krimet e Rënda. Gjatë seancës së djeshme treshja gjykuese si fillim dëgjoi pretendimet e palës së akuzuar dhe më pas u tërhoq për vendim. Avokati Idajet Beqiri dhe Izet Haxhia u shprehën se vendimin e lënë në çmim të gjykatës. “Rregullin” e theu avokati tjetër mbrojtës, Bashkim Nikolla i cili citoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se dosjet që rihapen duhet të gjykohen tek gjykata ku janë gjykuar më parë deri në krijimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion. Sipas tij, SPAK do të ngrihet brenda një muaji dhe nuk ja vlen të transferohet dosja sepse Krimet e Rënda do të shkrihen. Por ky pretendim i Nikollës nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese, e cila në fund vendosi të shpallë moskompetencën. Gjyqtarët urdhëruan dërgimin e dosjes te Gjykata e Krimeve të Rënda. Tani pritet që të hidhet shorti mes gjyqtarëve të Krimeve të Rënda për të përcaktuar trupin gjykues që do të marrë nën shqyrtim çështjen.

Dosja te SPAK

Krimet e Rënda do të funksionojnë edhe për pak ditë, pasi gjatë tetorit pritet që të ngrihen Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Kjo do të thotë se Gjykata e Krimeve të Rënda do të ketë mundësi të zhvillojë një numër të paktë të seancave gjyqësore për Izet Haxhinë sepse më pas kjo dosje do të kalojë te SPAK. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” përcakton se çdo dosje që është nën shqyrtim te Krimet e Rënda do të kalojë te SPAK sapo kjo të ngrihet. Një fat të tillë pritet ta ketë edhe çështja e Izet Haxhisë.

Kambana alarmi për Berishën

Izet Haxhia kërkon të zbardhë të vërtetën e vrasjes së demokratit Azem Hajdari. Ish-truproja e Sali Berishës është dënuar me 25 vjet burg për këtë ngjarje, por tani ka fituar të drejtën të rigjykohet duke qenë se dënimi është dhënë në mungesë. Kur u ekstradua në maj të 2018, Haxhia paralajmëroi Sali Berishën se zotëron prova të forta që tregojnë se ai ka gisht në atentatin kundër Hajdarit. Këto prova Haxhia është zotuar t’i nxjerrë para gjykatës, ndërsa ka kërkuar që të ketë përballje me ish-kryeministrin. Fakti që kjo dosje po shkon drejt SPAK do të thotë se të gjitha provat e reja të Izet Haxhisë do të bëhen publike me drejtësinë e re. Anëtarët e SPAK do t’i marrin në shqyrtim ato, ndërsa do të vëzhgohen edhe nga faktori ndërkombëtar, të cilët do të kenë zyra të posaçme në SPAK. Edhe marrja në pyetje e dëshmitarëve që kërkon Izet Haxhia do të bëhet nën përkujdesin e anëtarëve të SPAK dhe ndërkombëtarëve. Kjo është një kambanë alarmi për Sali Berishën sepse ai është personazhi i parë që Haxhia kërkon të thirret për të dëshmuar. Frikën nga kjo dosje Berisha e tregoi pak ditë më parë kur deklaroi se nuk do të shkojë për të dëshmuar sepse s’ka asgjë për të thënë. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here