Kryeministri Edi Rama është i vendosur për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin në administratën publike. Ditën e djeshme nën kujdesin e shefit të qeverisë u zhvillua në Kryeministri takimi i përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, ndërsa të pranishëm ishin edhe disa qytetarët, të cilët kishin gjetur zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam.al”. Qysh në fillim, Rama e shfrytëzoi aktivitetin për t’i dërguar një mesazh të korruptuarve, teksa pranoi se fenomeni i korrupsionit është prezent në zyrat e shtetit, ndërsa theksoi se ai i shikon që po gërryejnë pronën publike, duke shprehur vendosmërinë se jo vetëm që do t’i shtypë ata, por do t’i çojë edhe para drejtësisë. “Të jesh i sigurt që unë s’kam pasur nevojë të ulem në një stol për të parë se çfarë po më bëjnë buburrecat nga poshtë, pasi unë rri në këmbë dhe i shoh buburrecat ulur që gërryejnë, por megjithatë kjo kërkon durim të madh kërkon vullnet kohë dhe sigurisht sisteme. Dhe platforma është një nga ato sisteme që i mpin buburrecat dhe disa prej tyre edhe i shtyp. Unë e di që ju keni parasysh buburrecat e Hipotekës së Shkodrës kushedi ç’keni hequr me ta. Ne po vazhdojmë të luftojmë dhe kemi preferuar atë porosinë e Nënë Terezës, në vend se të mallkojmë errësirën, të ndezim një qiri çdo ditë derisa të bëhet dritë”, deklaroi ai. Më tej, kryeministri Rama në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, theksoi se adresimet janë të natyrave të ndryshme. “Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiqeduam.al ka kapërcyer numrin e 51 mijë adresimeve, ndërsa së fundi është hapur edhe rubrika e veçantë për biznesin, që i vjen në ndihmë biznesit të ndershëm. Ankesat më së shumti janë për nivelin vendor dhe qendror, por edhe nga studentët që janë interesuar për Paktin për Universitetin. Janë jo vetëm pyetje, por dhe sugjerime dhe ide”, u shpreh ai. Ndërkohë, kryeministri Rama e ndali theksin edhe tek rubrika e posaçme për biznesin, teksa theksoi se kjo do të krijojë një akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që biznesi has në qasje me administratën dhe për çdo çështje që mbetet pezull në punën e tyre. Në këtë kontekst, Rama shprehu besimin se përfshirja e rubrikës së posaçme për biznesin në platformën e bashkëqeverisjes, sipas tij, është një dritare e re e rëndësishme për të fuqizuar partneritetin mes qeverisë dhe çdo biznesi të ndershëm.