Dalin në dritë të tjera detaje nga skandali me falimentimin e bankës italiane “Veneto”. Mediat italiane kanë publikuar kontratën e firmosur me “SGA” dhe “Tranzit”. Për ata që nuk i kanë ndjekur nga fillimi shkrimet e gazetës, “SGA” është kompania që mori në administrim kreditë e këqija të “Veneto Banka”. Por duke qenë se ajo nuk ka degë të saj në Shqipëri, kontraktoi kompaninë “Tranzit”, kompani e cila është e regjistruar në ishujt Kajman. Gazeta deri më tani ka treguar se si “SGA” po ushtron prej muajsh presion ndaj kredimarrësve të “Veneto Banka”, duke tentuar sekuestrimin e kolateraleve. Por mediat italiane kanë nxjerrë dhe kontratën e firmosur mes tyre, ku tregohet se si SGA i jep të drejtë “Tranzit” dhe të sekuestrojë kolateralet. Disa nga të drejtat që i jep “SGA” janë: Të dërgojë letra njoftimi; të fillojë ose të vazhdojë çdo iniciativë gjyqësore dhe jo gjyqësore duke përfshirë (dhe pa u kufizuar): telefonata, mesazhe me tekst, mesazhe me e-mail, kontakte në terren (në mënyrë alternative: të udhëzojë, menaxhojë dhe koordinojë këshilltarët e duhur juridikë për ta bërë këtë në emër të SGA-së); në veçanti: të fillojë, t’i bashkohet ose të vazhdojë Procedurat e duhura Gjyqësore për rimarrjen e Llogarive të Arkëtueshme, duke përfshirë plotësimin e kërkesave për futjen e SGA-së si kreditor i ri dhe të menaxhojë, duke vepruar në emër dhe për llogari të SGA-së, ankesat, procedurat e ndërmjetësimit dhe kontestet e filluara nga palët e treta me debitorët. “Të zgjedhë, të emërojë (në mënyrë alternativet e këshillojë dhe të ndihmojë SGA -në për ta bërë këtë), koordinojë, mbikëqyrë dhe, në përgjithësi, të menaxhojë kontaktet me këshilltarët ligjorë dhe profesioniste te tjerë, duke përfshirë përmbaruesit, përgjegjësit për Procedurat Gjyqësore dhe titujt e ekzekutimi (duke përfshirë edhe heqjen dhe zëvendësimin e tyre (në mënyrë alternative këshillon dhe ndihmon SGA -në për ta bërë këtë), nëse është e nevojshme ose e përshtatshme); të kërkojë përditësime periodike nga këshilltarët ligjorë dhe këshilltarët e tjerë të caktuar në lidhje me Procedurën Gjyqësore për veprimtarinë e kryer, tarifat dhe kostot e përllogaritura”, thuhet në kontratë.
Ekzekutimi i kolateraleve
Në marrëveshje “SGA” i jep të drejtë “Tranzit” që të marrë pjesë në çdolloj forine (me vërtetim nënshkrimi të noterizuar ose lloje të tjera të dokumenteve noteriale), në ekzekutimin, ristrukturimin, rinegociimin ose marrëveshjen e shlyerjes, së borxhit që ka lidhje me një ose më shumë llogari të arkëtueshme, duke përfshirë propozimet për ngritjen e komisioneve të përbërë nga kreditorë dhe ngritjen e komisioneve të përbërë me kreditorë për falimentin (ose procedura të njëjta ose të ngjashme) (“Marrëveshje Ristrukturimi”) dhe transferta, të çdolloj forme (me vërtetim nënshkrimi të noterizuar ose lloje të tjera të dokumenteve noteriale), qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, të një ose më shumë Llogarive të Arkëtueshme (“Transferime”). “Në këtë aspekt, Përfaqësuesi Ligjor, mund të hyjë në mënyrë autonome në Marrëveshjet dhe Transferimet e Ristrukturimit, me kusht që të përmbushen Standardet e Detyrueshme (siç është përcaktuar në Marrëveshjen e Ofrimit të Shërbimit). Nëse nuk përmbushen Standardet e Detyrueshme, përfaqësuesi Ligjor, mund të hyjë në Marrëveshjet dhe Transferimet e Ristrukturimit vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të SGA-së dhe personave të tjerë, të cilëve mund t’u kërkohet pëlqimi”, thuhet aty. Po ashtu “Tranzit” ka të drejtë të përfaqësojë SGA-në para çdo personi, si dhe organeve dhe/ose autoriteteve kompetente, duke përfshirë pa limit, përfaqësimin tek çdo noter publik shqiptar, Zyrat për Regjistrimin e Pronave të Patundshme në Shqipëri, operatorët e autorizuar të Regjistrit të Barrave Siguruese, si dhe çdo institucion tjetër, autoritet ose gjykatë kompetente dhe të bëjë çdo akt apo fakt të nevojshëm për ekzekutimin e këtij mandati, duke nënshkruar në emër dhe për SGA-së kudo që është e nevojshme dhe të paguajë çdo tarifë. Pra SGA duke shmangur ligjet shqiptare, ja ka deleguar kompetencat “Tranzit” vetëm me një akt noterial. Ndërkohë guvernatori Gent Sejko vijon të mos reagojë për skandalet me “Veneto Banka”, duke mbyllur sytë ndaj gjithçkaje.
Kliti Topalli