Shqiptarët “mbretër” të krimit në Britani, ja si po marrin frenat e trafiqeve, mbi 500 makina të blinduara kanë hyrë në territorin shqiptar

0
392

Krimi shqiptarë në vendet e huaja duket se po rritet ndjeshëm. Holanda kërkoi bllokimin e vizave për këtë gjë, por shteti ku kanë filluar të dominojnë shqiptarët është Britania e Madhe. Gjatë viteve të fundit, numri i shqiptarëve të larguar drejt qyteteve britanike është rritur jashtë mase dhe sipas raporteve ndërkombëtare, një pjesë e madhe janë të përfshirë në trafiqe. Madje ka shumë nga ata që po komandojnë rrjetet e kokainës, heroinës dhe kanabisit. Për shkak të kësaj situate në samitin e Poznanit që u mbajt pak javë më parë, u firmos një marrëveshje me Britaninë për të luftuar këtë fenomen. Dje ka shkruar dhe gazeta italiane “Corriere Della Sera”. Sipas saj, shqiptarët janë bërë “mbretër të krimit në Britani. “Me Brexit ose jo, që do të jetë rruga që do të zgjedhë Mbretëria e Bashkuar për të rregulluar modalitetet e hyrjes së të huajve, trafikantët e drogës ecin përpara. Mbi të gjitha ata shqiptarë, rritja e të cilëve në aftësinë drejtuese të krimit është e qartë, jo nga fjalët e analizave, por nga arrestimet e policisë”, thuhet në artikull. Sipas gazetarit italian, ditët e fundit, në aeroportin e Tiranës “Nënë Terezës”, policia ndaloi 19 shqiptarë dhe turq, të cilët kishin prerë një biletë për të shkuar në Malpensa / Orio al Serio, dhe më pas të përfundonin në destinacionin e tyre, Londër, ku tregu i kokainës, heroinës dhe marijuanës po pasuron një gjeneratë shqiptarësh, të cilët sot ngjajnë me gjermanët dhe “Ndrangheta”. “Ndarja e dy pjesëve të udhëtimit i përgjigjet dyshimit policor se pas mbylljes së hyrjes nga “Linate: po përdoret Italia për të depërtuar në botën e drogës në periferitë e Londrës. Dokumentet (kartat e identitetit) nuk ishin riprodhime por ishin ato reale, përveç fotove të pasaportave, që korrespondonin me pasagjerë të vërtetë. Dokumentet vijnë nga vjedhjet në zyrat e regjistrit të vendeve (ose nga shitja e punonjësve të korruptuar) dhe nga çantat e rrëmbyera. Pavarësisht nga ta, kishte italianë që ishin gati të fluturonin për në Angli”, thuhet më tej. Sipas italianëve aksioni është një favor për sistemin e sigurisë së qeverisë shqiptare, e cila po akuzohet

se nuk po lufton drogën dhe se vëzhguesit e kanë etiketuar si “narkoshtet”.

Struktura

Në Londër, krimi shqiptar (i cili në përgjithësi ka një strukturë nga lart-poshtë, bazuar në grupe të shumta që shpesh lidhen me lidhje gjaku), ka dy karakterizime të dallueshme. Bandat e të rinjve kanë zgjedhur zonat e Parsons Green, Barking dhe Dagenham dhe Kilburn si baza; Hellbanianz (me shkurtimin Hb), është një nga bandat më të habitshme, duke marrë parasysh performancën sistematike përmes rrjeteve sociale që ka gjeneruar mijëra ndjekës. “Këta djem të ushqyer me adrenalinë, të cilët në çdo rast merren me sasi të vogla, janë të inatosur nga “të mëdhenjtë”, të cilët predikojnë dhe praktikojnë profilin e ulët, siç mësuan duke punuar për (dhe me) bandat kalabriane. Që nga vitet 1990, kur shqiptarët pushtuan rrugët e Milano duke i pushtuar ata me prostituta, pushteti aktual kriminal ka një distancë anësore. Aty ku shumë klane mbështeten te ndërmjetësit, të kenë më pak ngarkesa por me një rritje fiziologjike të kostove dhe një rënie të pashmangshme të pastërtisë së ilaçeve-një efekt anësor i copëzimit të zinxhirit të furnizimit, shqiptarët kanë filluar të merren direkt me narkot e Amerikës së Jugut”, thuhet më tej në artikull.

Situata në Shqipëri

Teksa shqiptarët janë bërë mbretër të krimit në Britani, shumë para që fitojnë ata atje, vijnë në vendin tonë. Përmes manovrave në kompanitë e transfertave të parave, në vendin tonë hyjnë qindra mijëra euro çdo ditë vetëm nga Britania e Madhe. Por ajo që e tregon më së miri këtë janë dhe automjetet. Sipas të dhënave të siguruar në mënyrë jo zyrtare nga policë, në vendin tonë qarkullojnë rreth 500 automjete luksoze të blinduara. Të gjitha këto drejtohen nga persona që dyshohet se janë përfshirë në aktivitete kriminale jashtë vendit, e sidomos në Londër. Gjatë vitit ka pasur shumë atentate ndaj emrave të njohur në vend. Shumica kanë shpëtuar për shkak të makinave të blinduara. Pra, krimi në Londër është kthyer në një mjet fitimi për shqiptarët, por dhe shumë prej tyre janë futur në hasmëri me njëri-tjetrin për prishje të pazareve. Një tjetër fakt që tregon se paratë e pista vijnë në vend janë makinat e tjera luksoze. Sipas të dhënave, janë rreth 2 mijë automjete luksoze në të gjithë vendin në qarkullim. Bëhet fjalë për makina me vlera mbi 50 mijë euro. Të gjithë e dinë se me një punë të thjeshtë askush nuk blen dot një makinë të tillë. Shumica janë në pronësi të djemve të rinj, të cilët nuk kanë punuar kurrë. Këtu lind pyetja se përse policia nuk vepron. Pak muaj më parë u deklarua se do nisë një operacion ndaj të fortëve. Vetë kryeministri deklaroi se puna do nisë nga makinat luksoze. Por fjalët i mori era. Ndryshimet pritet të ndodhin në fund të vitit. Qeveria do ngrejë një ekip me ish-ushtarakë, që do merren pikërisht me goditjen e të fortëve dhe mjeti më i mirë për t’i identifikuar janë makinat. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here