Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për mbrojtjen e tokës dhe mjedisit, duke iu referuar protestave të zhvilluara prej muajsh në Shqipëri, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Gjatë prezantimit të këngës së tij më të re, “Nu simu niente” (“Ne nuk jemi asgjë”), Meta iu drejtua publikut me një mesazh të fortë, duke sjellë si shembull rezistencën e fermerëve dhe qytetarëve shqiptarë përballë interesave të mëdha industriale dhe korporative.
“Është një këngë që flet për njerëzit, për njerëzit që e kuptojnë se ne nuk jemi asgjë, por që ndoshta kemi ende një gjë të vogël, fuqinë për t’u ngritur në këmbë kundër atyre që duan të na uzurpojnë tokën tonë”, u shpreh këngëtari.
Meta tha se protestat në Shqipëri e kanë bërë të reflektojë dhe veçoi qëndrimin e fermerëve dhe njerëzve të thjeshtë, të cilët, sipas tij, po tregojnë dinjitet duke u përballur me pushtete dhe interesa të mëdha.
Në fund të mesazhit të tij, Meta përcolli një qëndrim të qartë për mbrojtjen e tokës: “Kjo tokë, për sa kohë që jemi këtu, është jona; dhe nuk shitet, e as mund të blihet.”
Me këtë deklaratë, Ermal Meta bëhet një tjetër emër i njohur që shpreh mbështetje për protestat, pas reagimeve të figurave të tjera shqiptare me famë ndërkombëtare, mes tyre edhe Dua Lipa.








































