Avokati Spartak Ngjela deklaroi dje se përmes reformës në drejtësi që po zbatohet në Shqipëri do të fitojë e gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ngjela u shpreh se shtetet fqinje të Shqipërisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia, nuk e duan bashkimi kombëtar shqiptar. Por ai shtoi se ata nuk bëjnë dot asgjë sepse tani në vendin tonë po zbatohet reforma në drejtësi dhe po ndihmon edhe Amerika. “Haki Pasha, statist turk, ka thënë në fund të shekullit të XlX- të: “po doli në shesh historia e shqiptarëve, nuk ka më Perandori Osmane”. Por, të shkruarit e vërtetë të historisë së shqiptarëve nuk rrëzonte atëherë, sikurse dhe sot, vetëm osmanët, por edhe Serbinë, edhe Malin e Zi, edhe Greqinë, edhe Maqedoninë. Kjo është arsyeja që, dhe sot, të gjithë këta shtete kanë frikë nga historia e vërtetë e shqiptarëve. Prandaj, mos u çuditni që edhe sot, si në 150 vjet rresht, të gjithë këta shtete janë lëshuar të blejnë krerët e Shqipërisë për të kontrolluar gjendjen në Shqipëri. Sepse, që pas pavarësisë së Kosovës, po i shqetëson ngritja e frymës së shqiptarizmit kudo në Ballkanin Perëndimor. Por, e kanë të pamundur ta fitojnë këtë luftë, ndonëse me ta bashkë është edhe Rusia. Sidomos tensioni më i madh është ngritur në këto muaj e fundit, sepse po e shohin që, me triumfin e kryer të reformës në drejtësi nuk do të kenë më aspak terren në Shqipëri, dhe janë të trembur me reaksionin e reformës në hapësirën arbërore”, tha Spartak Ngjela. Avokati shtoi se reforma në drejtësi do të pushtojë të gjithë shqiptarët në Ballkan. Sipas tij, kështu do të përmbushet aspirata për bashkim kombëtar. “Kjo reformë do ta pushtojë të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kudo ku ka shqiptarë, edhe në Serbi, edhe në Greqi, edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Mal të Zi. Madje, duhet theksuar se edhe memoriali neoosman i Erdoganit dhe Ramës, i ngritur tani në Shqipëri, refleks i reaksionit aktual antishqiptar i pushtuesve të territoreve shqiptare është. I gjithë ky reaksioni është i kuptueshëm, sepse reforma në drejtësi në Shqipëri pritet të krijojë patjetër reaksion zinxhir reformues në të gjithë këtë botë shqiptare në Ballkan, dhe do të fillojë realisht përmbushjen e aspiratës shekullore shqiptare për bashkimin kombëtar. Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor ka pritur gjithmonë nga Shqipëria, por kjo ka qenë vijimisht e bllokuar nga vetë shqiptarët, krerë dhe sundues, të blerë prej fqinjëve pushtues”, deklaroi Spartak Ngjela.