Më në fund shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm mund të flasin, por edhe ta shkruajnë gjuhën shqipe, madje edhe në dokumenta zyrtarë.
Në mbledhjen e fundit, qeveria maqedonase ka kaluar një projektligj për themelimin e Inspektoriatit për zbatimin e Gjuhëve, e konkretisht gjuhës shqipe.
Përveç rregullimit të mënyrës së inspektimit dhe përzgjedhjes së inspektorëve, me këtë ligj parashikohet edhe venia e gjobave në rastet kur nuk zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe.
Sipas nenit 22 parashikohen gjobat 300 deri ne 500 euro për të gjitha institucionet që nuk ju mundësojnë qasje inspektorëve në materialet që duhet të inspektojnë, shkruajnë mediat në shqip në Maqedoninë Veriore.
Ndërsa gjoba nga 100 deri ne 200 euro për drejtuesit e atyre institucioneve. Ndërkohë që për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të shqiptohen gjobat e parashikuara në ligjin e gjuhëve dhe që variojnë nga 4000 deri në 5000 euro për personat juridike dhe 30% e kësaj shume për drejtuesin e institucionit.
Inspektoratin do të udhëheqë drejtori, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik për një mandat 4 vjeçar, me të drejtë rizgjedhje.